Keir Starmer largohet nga Downing Street me duartrokitje: Iki me buzëqeshje dhe krenar për gjithçka kemi arritur

Keir Starmer ka mbajtur fjalimin e tij të fundit si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, përpara largimit nga Downing Street, ku u përcoll me duartrokitje nga stafi dhe mbështetësit e pranishëm.
Në deklaratën e tij të fundit nga selia e qeverisë, Starmer tha se largohet me qetësi dhe krenari për punën e bërë gjatë mandatit të tij.
“Unë iki me mirëkuptim, iki me një buzëqeshje dhe iki krenar për gjithçka që kemi arritur”, u shpreh Starmer përpara se të hipte në automjet dhe të drejtohej drejt Pallatit Buckingham.




Më herët, ai deklaroi se “puna ime ka përfunduar”, ndërsa kujtoi arritjet e tij në krye të qeverisë dhe të Partisë Laburiste. Starmer theksoi se arriti ta rikthente partinë pas një disfate historike dhe ta çonte drejt një fitoreje të madhe zgjedhore në vitin 2024.
Ai deklaroi gjithashtu se Britania është sot një vend më i fortë dhe më i drejtë, ndërsa i uroi sukses pasardhësit të tij dhe premtoi mbështetjen e plotë për Andy Burnham.
Gjatë fjalimit, Starmer falënderoi familjen dhe stafin e tij, të cilët ishin pranë tij në momentin e largimit nga Downing Street. Disa prej anëtarëve të stafit u panë të emocionuar, ndërsa për ta ky ishte një moment i rëndësishëm pas periudhës së kaluar në qeveri.
Pas largimit nga Downing Street, Starmer u prit në Pallatin Buckingham nga Mbreti, të cilit i dorëzoi zyrtarisht dorëheqjen si kryeministër dhe si First Lord of the Treasury. Pallati njoftoi se Mbreti e pranoi dorëheqjen e tij.


“Sir Keir Starmer MP pati një takim me Mbretin këtë mëngjes dhe paraqiti dorëheqjen e tij si Kryeministër dhe First Lord of the Treasury, të cilën Madhëria e Tij ishte i kënaqur ta pranonte”, thuhej në deklaratën e Pallatit Buckingham.
Analistët politikë vlerësojnë se Starmer u përqendrua në fjalimin e lamtumirës te rikthimi i Partisë Laburiste nga humbjet e mëparshme, veçanërisht pas periudhës së udhëheqjes së Jeremy Corbyn. Megjithatë, ata theksojnë se presioni i madh për rezultate të shpejta dhe pakënaqësitë brenda partisë ndikuan në kohëzgjatjen e mandatit të tij.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



