Nufi: Vendimi për zhvillimin e Samitit në Tiranë, vlerësim i rëndësisë strategjike

Aktualitet | 3 muaj më parë

Samiti i ardhshëm i NATO-s që do të zhvillohet në Tiranë, sipas ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi, përfaqëson një vlerësim të rëndësisë strategjike të Shqipërisë dhe rolit të saj në aleancë. Ministri i Mbrojtjes tha se vendi po përgatitet për sfidat e fazës së re të NATO-s duke forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe duke rritur investimet në sektorin e sigurisë.

“Koha dhe datat kur do të mbahet samiti i radhës do të përcaktohen nga vetë aleanca. Organizimi i këtij samiti në vendin tonë është dëshmia më e madhe e besimit për Shqipërinë, për një event me përmasa të tilla ndërkombëtare, si dhe një tregues i qartë i rolit të saj si faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë,” u shpreh Nufi.

Investimet në mbrojtje janë rritur në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe sipas ministrit Nufi, modernizimi i forcave të armatosura mbetet prioritet.

“Një proces i cili nuk është thjesht pajisje me sisteme moderne, por edhe një proces i përqendruar në fuqizimin e kapitaleve njerëzore, profesionistëve të mirëarsimuar, të mirëtrajnuar, me një kulturë të jashtëzakonshme gatishmërie dhe përgjegjësie ndaj atdheut. Nuk ka sot një shtet në Europë, sidomos në lindjen e kontinentit që janë pjesë e NATO-s, e që të mos rendin drejt rivitalizimit të infrastrukturave prodhuese ushtarake,” tha ai.

Duke u ndalur tek situata e zjarreve në vend, ministri theksoi se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka koordinuar në kohë reale operacionet në terren, ndërkohë që monitorimi me dronët “Bajraktar” ka ndihmuar në evidentimin e hershëm të vatrave të zjarrit.

“Efektivet dhe mjetet e Forcave të Armatosura janë angazhuar në operacione të ndryshme në Klos, në Kal, në Drisë të Fierit, në Ishull Lezhë apo kudo ku ka qenë e nevojshme. Në këto operacione janë evidentuar gjithsej rreth 104 efektivë të forcave të armatosura, krahas mjeteve, autobotëve dhe kapaciteteve të tjera mbështetëse. Shumë shpejt në Republikën e Shqipërisë do të jenë operacionalë avionët e grafikës, pasi qeveria ka kontraktuar për sigurimin e tyre. Deri dje në darkë nuk kemi pasur asnjë zjarr aktiv,” theksoi ministri, duke nënvizuar se ndërhyrjet e forcave të armatosura kanë qenë vendimtare për menaxhimin e situatave emergjente.

Numri një i mbrojtjes shqiptare, Ermal Nufi, u bëri thirrje qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, ndërsa theksoi se vendi ynë do të vijojë të kontribuojë në misionet e NATO-s dhe të investojë në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, në përputhje me objektivat e aleancës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme