Ministri Karakaçi reagon për humbjen e elektricistit në Himarë: Ushtroi detyrën me përkushtim deri në momentin e fundit

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka reaguar me një mesazh prekës në rrjetet sociale pas lajmit të rëndë për vdekjen e elektricistit Bashkim Boçi, i cili humbi jetën ndërsa punonte në Himarë për rikthimin e energjisë.
Teksa shpreh dhimbjen dhe ngushëllimin për familjarët, Karakaçi bën me dije se 54-vjeçari Bashkim Boçi ishte pjesë e OSSH Elbasan që prej vitit 2000.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për humbjen e jetës së kolegut tonë, Bashkim Boçi, i cili ra në krye të detyrës, ndërsa ishte i angazhuar në riparimin e defekteve të shkaktuara nga moti i keq në zonën e Himarës,” shkruan ministri.
Karakaçi theksoi se pas çdo rikthimi të energjisë , qëndron puna e vështirë dhe e rrezikshme e punonjësve të OSSH-së, të cilët shpesh sakrifikojnë jetën e tyre për shërbimin ndaj komunitetit.
“Bashkimi ishte pjesë e OSSH Elbasan që prej vitit 2000 dhe e ushtroi detyrën me përkushtim dhe profesionalizëm deri në momentin e fundit. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të tij. Ndajmë dhimbjen me ta në këtë moment të vështirë dhe nderojmë me mirënjohje kontributin dhe sakrificën e Bashkim Boçit në shërbim të qytetarëve. U prehtë në paqe,” vijon mesazhi i tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




