Maratona në Pogradec, Policia e Korçës njofton bllokime të përkohshme të rrugëve më 25 korrik

Policia e Korçës ka bërë të ditur masat që do të merren për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të Maratonës Kombëtare dhe Ndërkombëtare, e cila do të mbahet më 25 korrik në qytetin e Pogradecit.
Aktiviteti sportiv, i organizuar nga shoqata “Maraton Albania” në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec, do të nisë në orën 18:30 dhe do të përfshijë dy disiplina garuese.
Half Maratona (21 km) do të nisë nga fshati Lin, përgjatë aksit rrugor buzë liqenit dhe do të përfundojë në qendër të qytetit të Pogradecit.

Ndërsa Mini Maratona (11.5 km) do të nisë nga qendra e qytetit, do të vijojë në aksin Pogradec-Buçimas-Tushemisht dhe do të rikthehet sërish në pikën e nisjes, përgjatë shëtitores buzë liqenit dhe unazës lidhëse.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia do të ndërpresë përkohësisht qarkullimin në akset ku do të kalojnë garuesit.
Sipas njoftimit, më 25 korrik, nga ora 18:30 deri në 22:00, do të bllokohet plotësisht aksi Lin-Pogradec, ndërsa në aksin Tushemisht-Pogradec do të bllokohen të dyja korsitë e lëvizjes. Gjithashtu, do të ketë bllokime të përkohshme edhe në disa segmente rrugore brenda qytetit të Pogradecit deri në përfundim të garës.

Policia e Korçës u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë mirëkuptim dhe, gjatë këtij intervali kohor, të përdorin si alternativë rrugën Qafë Plloçë-Qukës, për të lehtësuar zhvillimin e sigurt të aktivitetit sportiv.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



