Sprinti 13-mujor i Shqipërisë, Hoxha: Ne po bëjmë reformat, BE duhet të mbajë premtimin

Politikë | 3 muaj më parë

“Shqipëria po përshpejton rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, duke avancuar me ritme të shpejta në negociatat e anëtarësimit”, deklaroi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një intervistë për RTL Today.

Sipas ministrit, tani besueshmëria e procesit varet si nga zbatimi i reformave në Shqipëri, ashtu edhe nga respektimi i angazhimeve nga Bashkimi Evropian.

“Shqipëria ka ecur me një shpejtësi të jashtëzakonshme përmes sistemit të rishikuar të pranimit. Ajo i hapi të gjashtë grupet negociuese brenda 13 muajsh dhe tani ka kaluar vlerësimin e ndërmjetëm të grupit të Bazave. Duke pritur, ne nuk u mjaftuam duke parë yjet. Ne punuam. Vumë ekipet tona në punë. U përgatitëm dhe progresi erdhi si rezultat i punës”, tha ministri Hoxha.

Ministri pranoi se Shqipëria ka ende sfida për të përmbushur në luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit të së drejtës, garantimin e lirisë së medias dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Negociatat kanë të bëjnë me hendekun ku jemi sot, ku duhet të arrijmë dhe si do ta mbyllim atë. Procesi i bazuar në meritë duhet të funksionojë në të dyja drejtimet. Ne marrim angazhime dhe bëjmë reformat, por Bashkimi Evropian duhet të mbajë edhe ai pjesën e vet të marrëveshjes”, tha ministri.

I pyetur për zhvillimet në rajon dhe procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, Hoxha theksoi se, pavarësisht përparimit në marrëdhëniet praktike me Bashkimin Evropian, përfshirë liberalizimin e vizave dhe njohjen e dokumenteve, dialogu Prishtinë-Beograd mbetet i ngadaltë dhe një çështje ende e pazgjidhur për të ardhmen evropiane të rajonit.

Gazetare: Jonida Omeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme