Burnham: Do të përdor gjithë kapitalin tim politik për reformën e kujdesit social, pa të Shërbimi Kombëtar Shëndetësor rrezikon të shembet

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, ka premtuar se do të përdorë të gjithë kapitalin e tij politik për të reformuar sistemin e kujdesit social në Angli, duke paralajmëruar se pa një ndërhyrje të shpejtë Shërbimi Kombëtar Shëndetësor (NHS) rrezikon të mos përballojë më ngarkesën.
Në intervistën e tij të parë të plotë që nga marrja e detyrës javën e kaluar, Burnham tha se nuk mund të japë një afat të saktë për ngritjen e një sistemi të ri, por theksoi se reforma do të nisë sa më shpejt.
Kryeministri e ka cilësuar prej kohësh kujdesin social si një nga problemet më të mëdha të pazgjidhura në Britani, duke përmendur edhe përvojën personale me të atin, i cili vuan nga Alzheimeri dhe ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm.
I pyetur nëse synon të krijojë një sistem të ri përpara zgjedhjeve të ardhshme, Burnham u shpreh se do të ecë “sa më shpejt të jetë e mundur” me reformën, por pranoi se ndryshime të tilla kërkojnë kohë.
“Mendoj se mund të bëhen ndryshime të mëdha përpara zgjedhjeve të ardhshme. Ky problem i kushton NHS-së miliarda dhe ne nuk do ta rikthejmë kurrë sistemin shëndetësor në standardet e duhura të kohës së pritjes derisa të rregullojmë kujdesin social,” tha ai.
Burnham theksoi se nuk do të ndryshojë qëndrimet që ka mbajtur ndër vite.
“Çfarëdo kapitali politik që kam, do ta përdor për të rregulluar sistemin e dështuar të kujdesit social dhe nuk dua të largohem nga detyra pa sjellë ndryshimin e madh.”
Ai shtoi se nuk mund të premtojë një afat konkret, por paralajmëroi se, nëse reforma nuk realizohet, “NHS do të shembet nën peshën e kujdesit për njerëz që nuk do të duhej të përfundonin në sistemin spitalor.”
Kryeministri u ndal edhe te sistemi i përfitimeve sociale, duke deklaruar se Mbretëria e Bashkuar duhet “ta marrë seriozisht” uljen e shpenzimeve për mirëqenien sociale, por pa fajësuar përfituesit.
“Nuk do të shkoja menjëherë te fajësimi i tyre. Ka të rinj në të 20-at që janë lënë pas dore, sepse nuk kanë marrë mbështetjen që duhej ta kishin marrë shumë më herët. Nuk i fajësoj ata. Mendoj se nuk kanë marrë mbështetjen që meritonin,” tha ai.
Burnham bëri të ditur se do të vazhdojë reformimin e sistemit të përfitimeve sociale, proces i nisur nga qeveria e mëparshme e Keir Starmer, që përfshin rishikimin e ndihmës për personat me aftësi të kufizuara ose sëmundje, si dhe masa për uljen e numrit të të rinjve që nuk janë në arsim, punë apo trajnim.
Sipas tij, mbështetja sociale duhet të lidhet më shumë me angazhimin e përfituesve.
“Bëhet fjalë për ndryshimin e natyrës së mbështetjes dhe për ta kushtëzuar një pjesë të saj me shfrytëzimin e mundësive që u ofrohen njerëzve. Mund të rrisim kushtet për marrjen e përfitimeve. Kur nevojitet mbështetje për shëndetin mendor, ajo duhet të ofrohet edhe në vendin e punës.”
Ai përsëriti se vendi duhet të ulë faturën e ndihmës sociale. “Mendoj se si vend duhet ta marrim shumë seriozisht uljen e shpenzimeve për mirëqenien sociale.”
Ndërkohë, liderja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, i ka ofruar bashkëpunim qeverisë për reformën e kujdesit social, por me kusht që ajo të mos financohet përmes rritjes së taksave apo shtimit të borxhit publik dhe të jetë e drejtë për qytetarët me kursime personale.
Në intervistë, Burnham premtoi gjithashtu se do t’u përmbahet rregullave fiskale ekzistuese dhe programit elektoral të Partisë Laburiste të vitit 2024.
I pyetur për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe mundësinë e vendosjes së një takse mbi pasurinë, ai tha se është ende herët për vendime të tilla.
“Jam vetëm katër ditë në detyrë. Po më kërkoni të hartoj buxhetin e ardhshëm ose manifestin e ardhshëm,” u shpreh ai.
Burnham shtoi se dëshiron të shqyrtojë ndryshime në sistemin tatimor, përfshirë pragjet dhe kategoritë e taksës së këshillit vendor, por theksoi se çdo reformë duhet të jetë në përputhje me premtimet elektorale.
Sa i përket mbrojtjes, ai nuk dha një afat se kur Britania do të arrijë objektivin për të shpenzuar të paktën 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.
“Mendoj se kjo është paksa e padrejtë, sepse vetëm pak ditë më parë isha në Downing Street duke folur për rëndësinë vendimtare që Britania të respektojë angazhimet e saj në fushën e mbrojtjes,” përfundoi Burnham.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




