Përgatitjet për vitin e ri shkollor në Shkodër, prioritet siguria në shkolla dhe gjithpërfshirja

Arsim | 2 muaj më parë

2 javë përpara nisjes së vitit të ri shkollor, zyra vendore arsimore Shkodër zhvilloi një takim pune me drejtuesit e shkollave dhe përfaqësues të strukturave mbështetëse të sistemit arsimor, me fokus organizimin dhe koordinimin e punës për fillimin e procesit mësimor.

Drejtuesja e zyrës arsimore Brisela Kadija tha se prioritet mbetet gjithpërfshirja dhe siguria në shkolla.

“Sapo përfunduam një takim me të gjithë aktorët kryesorë të institucioneve tona arsimore, duke filluar nga stafet drejtuese, shërbimi psikosocial, oficerët e sigurisë, bordet e shkollave dhe këshillat e prindërve. Prioritetet tona si zyrë vendore arsimore janë të krijojmë një shkollë të sigurt, të ofrojmë një mësimdhënie cilësore, të kemi nxënës të përfshirë, mësues të mbështetur dhe një drejtim efektiv. Sigurisht, të gjitha këto duhet të pasohen edhe me rezultate konkrete dhe të matshme”, u shpreh Brisela Kadija, Drejtore ZVA Shkodër.

Kadija një urim të veçantë e rezervoi për rata që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

“Në fakt, na pret një vit sfidues të gjithëve. Na pret një vit me shumë përgjegjësi dhe punë, por na pret edhe një vit me shumë risi. Do të kemi shkolla që do të jenë pjesë e programit pas shkolle dhe, sigurisht, na vlen të ndajmë mendime dhe të diskutojmë mbi hapësirat dhe mundësitë që ky program të ofrohet në mënyrën më cilësore të mundshme, por edhe të krijojmë mundësinë për ta zgjeruar programin në shkollat e tjera vitin e ardhshëm, në kuadër të Zyrës Vendore Arsimore Shkodër”, tha ajo.

Gjatë takimit përfaqësuesit e arsimit theksuan se bashkëpunimi, komunikimi dhe koordinimi mes të gjitha hallkave të sistemit mbeten elementë kyç për mbarëvajtjen e procesit mësimor, duke shprehur gatishmërinë për ta nisur vitin e ri shkollor me përkushtim dhe përgjegjësi.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme