Projektligji i ri/ Qasje e re për personat me aftësi të kufizuara, nga bankomatet te shërbimet online, detyrimet e reja për bizneset dhe gjobat për shkeljet

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka depozituar një projektligj të ri i cili synon të transformojë rrënjësisht mënyrën se si personat me aftësi të kufizuara qasen në jetën ekonomike, sociale dhe kulturore në Shqipëri. Dokumenti, i emërtuar “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, përafron legjislacionin shqiptar me Aktin Evropian për Aksesueshmërinë (Direktiva BE 2019/882) dhe pritet të shfuqizojë ligjin aktual të vitit 2014.
Ndryshimi thelbësor që sjell kjo nismë ligjore është vendosja e standardeve të detyrueshme për operatorët ekonomikë privatë dhe institucionet publike. Projektligji saktëson një listë të gjatë mallrash dhe shërbimesh që duhet të jenë të aksesueshme, ku përfshihen: kompjuterët, telefonat inteligjentë, bankomatet, terminalet e vetëshërbimit, shërbimet e transportit, e-commerce (tregtia elektronike), shërbimet bankare, si dhe komunikimet drejt numrit unik të emergjencës 112.
Në relacionin shpjegues të firmosur nga Ministrja Evis Sala, theksohet se ky ligj kërkon të eliminojë fragmentimin institucional dhe të vendosë kërkesa të qarta për tregun:
”Projektligji forcon kalimin nga një qasje e bazuar vetëm në masa individuale mbështetëse drejt një qasjeje të bazuar në të drejta dhe në aksesueshmërinë universale, duke vendosur përgjegjësi konkrete për operatorët ekonomikë dhe autoritetet publike.“
Gjoba dhe sanksione për shkelësit
Për të garantuar zbatimin e këtyre standardeve, drafti parashikon një sistem mbikëqyrjeje të ndarë mes disa institucioneve, përfshirë Bankën e Shqipërisë, AKEP, AMA dhe ministritë e linjës. Ndaj subjekteve që nuk përmbushin kriteret e aksesueshmërisë, do të ndiqet një qasje graduale: fillimisht me paralajmërime dhe lënie detyrash për korrigjim, e më pas me sanksione administrative (gjoba) që do të përshkallëzohen sipas shkeljeve, të klasifikuara në të lehta, të rënda dhe shumë të rënda.
Fokus te jetesa e pavarur dhe asistentët personalë
Një tjetër shtyllë e projektligjit është garantimi i jetesës së pavarur në komunitet. Për herë të parë, theksi vihet te vendimmarrja e mbështetur dhe e drejta e personit për të pasur kontroll mbi jetën e tij, duke përfshirë të drejtën për të zgjedhur asistentin e tij personal dhe mbështetjen financiare për mjetet ndihmëse.
Lidhur me këtë ndryshim filozofie në ofrimin e shërbimeve, relacioni sqaron:
“Këto dispozita e zhvendosin fokusin nga një qasje thjesht përkujdesëse drejt një modeli që mbështet pavarësinë, zgjedhjen dhe kontrollin e vetë personit mbi jetën e tij.“
Vlerësimi sipas standardeve të OBSH-së
Projektligji parashikon gjithashtu reformimin e sistemit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar. Vlerësimi i ri do të jetë multidisiplinar dhe do të bazohet në Klasifikimin Ndërkombëtar për Funksionimin, Aftësitë e Kufizuara dhe Shëndetin (ICF), duke mos u fokusuar vetëm te diagnoza mjekësore, por edhe te faktorët socialë dhe barrierat mjedisore që pengojnë integrimin e individit.
Drafti pritet të kalojë për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e Ministrave dhe më pas në Kuvend, ndërsa kostoja financiare për zbatimin e tij, sipas relacionit, do të mbulohet nga Buxheti i Shtetit me një planifikim gradual nga institucionet qendrore dhe vendore.
Pikat kryesore të projektligjit
Detyrimet për bizneset dhe mallrat/shërbimet
Përcaktohet një listë konkrete mallrash (kompjuterë, telefona, bankomate, terminale vetëshërbimi, lexues elektronikë) dhe shërbimesh (komunikime elektronike, aplikacione transporti, shërbime bankare, e-commerce, numri 112) që duhet të jenë 100% të aksesueshme.
Prodhuesit, importuesit dhe shpërndarësit detyrohen të zbatojnë dizajnin universal, të pajisin mallrat me markimin “CE” dhe deklaratën e konformitetit.
Përjashtohen nga këto detyrime vetëm mikrondërmarrjet ose rastet kur vërtetohet se zbatimi i tyre sjell një “barrë joproporcionale” financiare.
Jetesa e pavarur dhe asistentët personalë
Ligji garanton të drejtën e personave me aftësi të kufizuara për të jetuar të pavarur në komunitet, me liri për të zgjedhur ku dhe me kë të jetojnë.
Futen institutet e reja të vendimmarrjes së mbështetur dhe ndihmësit personal, ku personi me aftësi të kufizuara ka të drejtë të zgjedhë dhe udhëzojë vetë asistentin e tij.
Mjetet ndihmëse financohen nga shteti (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor).
Modeli i ri i vlerësimit (standardi i OBSH-së)
Vlerësimi nuk do të bëhet më vetëm mbi bazën e diagnozës mjekësore, por nga komisione multidisiplinare duke u bazuar në Klasifikimin Ndërkombëtar të OBSH-së (ICF), i cili merr parasysh barrierat sociale dhe mjedisore që pengojnë individin.
Gjobat dhe institucionet mbikëqyrëse
Krijohet një rrjet mbikëqyrësish të ndarë sipas sektorëve (Ministritë përkatëse, Banka e Shqipërisë, AKEP, AMA).
Për shkelësit e kritereve të aksesueshmërisë aplikohet një qasje graduale: fillimisht paralajmërim e lënie detyrash për korrigjim (deri në 9 muaj), dhe më pas gjoba të rënda administrative që shkojnë deri në 5,000,000 lekë ose 0.1% të xhiros totale vjetore për shoqëritë tregtare.
Përfaqësimi dhe përfshirja
Përcaktohet funksionimi i Këshillit Kombëtar për Aftësinë e Kufizuar si organ kryesor këshillimor.
Bëhet i detyrueshëm ligjërisht konsultimi me organizatat e personave me aftësi të kufizuara për çdo politikë apo legjislacion të ri, duke u dhënë atyre të drejtën e ankimit nëse përjashtohen nga ky proces.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




