Nga pasioni për kuzhinën te sipërmarrja, 22-vjeçari zgjedh të investojë në Kukës
Pasioni për gatimin e ka shoqëruar që në moshë të hershme, kur qëndronte pranë të atit në kuzhinë. Sot, në moshën 22-vjeçare, Azem Gashi e ka kthyer këtë pasion në profesion, duke hapur aktivitetin e tij në Kukës.
“Unë pasionin e kuzhinës e kam pasur që në moshë të vogël, duke punuar me babin që në moshë të vogël, duke bërë gjëra tradicionale të Kukësit me dasma, me gjëra të tjera, gatime të tjera. Masandej nisa shkollën, vendosa të nis shkollën profesionale.”
Pas përfundimit të shkollës profesionale, Azemi ka qëndruar për shtatë vite larg familjes, duke punuar në qytete të ndryshme dhe duke fituar përvojën e nevojshme në fushën e gastronomisë. Pas këtyre viteve, ai vendosi të rikthehej në vendlindje dhe të investonte në një aktivitet të tijin.
“Larg Kukësit kam diku te shtatë vjet që me shkollë, me punë. Mandej vendosa që të vij prapë në Kukës, të thuash që të jem pranë familjes edhe pse jo të bëj diçka të re për Kukësin.”
Në kuzhinën e tij ka zgjedhur të sjellë gatimet tradicionale, duke i dhënë një tjetër dimension pasionit që e shoqëron prej fëmijërisë. Aktivitetin e ka ngritur i vetëm, duke investuar kursimet e mbledhura gjatë viteve të punës.
“Është goxha e vështirë sidomos për mua që s’kam pasur mbështetje as përkrahje nga askush. Edhe çdo gjë që kam arritur deri më sot në jetë ka qenë vetëm çdo lloj gjëje.”
Edhe pse ka pasur oferta për të vijuar punën jashtë vendit, Azem Gashi ka zgjedhur të qëndrojë në Kukës. Ai thotë se dëshira e tij është të ndërtojë të ardhmen në vendlindje dhe të kontribuojë me profesionin e tij në qytetin ku u rrit.
Gazetare: Sh. Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




