Pas konstituimit të kuvendit, Kurti mandatohet për formimin e qeverisë së re të Kosovës

Kosovë | 2 muaj më parë

Albin Kurti është zyrtarisht mandatar për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

Dekretin për mandatimin e tij e ka nxjerrë ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, pas propozimit të bërë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në dekret thuhet se Kurti propozohet para Kuvendit të Kosovës si kandidat për kryeministër, me qëllim formimin e Qeverisë së re.

“Z. Albin Kurti është caktuar mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas dekretit, Kurti ka afat jo më vonë se 15 ditë nga dita e emërimit që ta paraqesë përbërjen e Qeverisë para Kuvendit dhe të kërkojë miratimin e deputetëve.

Haxhiu i ka uruar Kurtit sukses në detyrën e tij, duke theksuar nevojën për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë.

“Z. Kurtit i uroj sukses në ushtrimin e përgjegjësive që burojnë nga besimi i qytetarëve, si dhe në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka shkruar Haxhiu.

Mandatimi i Kurtit vjen pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe hap zyrtarisht fazën e formimit të Qeverisë së re.

Ndërkohë, Vetëvendosje ka deklaruar se ka siguruar 62 vota për formimin e Qeverisë, një votë më shumë se minimumi prej 61 votash që nevojiten për miratimin e kabinetit qeveritar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme