Ligji i ri “Për mbrojtjen e konsumatorit”, ashpërsohen masat ndaj mashtrimeve me çmimet, Ibrahimaj: Forcohen të drejtat e qytetarëve

Ekonomi | 57 minuta më parë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot ligjin e ri “Për mbrojtjen e konsumatorit”, një nismë që synon të rregullojë marrëdhëniet në treg dhe të rrisë garancitë për qytetarët përballë praktikave tregtare. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e ka cilësuar këtë hap si “një reformë të rëndësishme që forcon të drejtat e qytetarëve, transparencën e çmimeve dhe mbrojtjen nga praktikat e padrejta tregtare”.

Sipas ministres, ligji i ri është konceptuar për t’iu përgjigjur sfidave të tregut modern, duke adresuar veçanërisht tregtinë online, abuzimet me ofertat dhe shërbimet e pas-shitjes.

Ndërhyrjet kryesore, çmimet, blerjet online dhe “e drejta për riparim”

Një nga pikat më të rëndësishme të ligjit të ri është vendosja e barrierave ndaj fushatave fiktive të uljes së çmimeve. Ibrahimaj bëri me dije se do të ketë “transparencë në uljet e çmimeve; rregulla për të parandaluar rritjen artificiale të çmimeve përpara promocioneve dhe për të garantuar oferta të besueshme”.

Për herë të parë, kuadri ligjor zgjeron mbrojtjen në mjedisin digjital, ku konstatohen edhe mjaft problematika. Ndryshimet parashikojnë “mbrojtje në blerjet online”, që do të thotë detyrim për “transparencë në renditjen e produkteve, identifikimin e reklamave të paguara dhe parandalimin e vlerësimeve të rreme” (review-ve jo-autentike).

Gjithashtu, ligji kërkon të garantojë informacion të saktë për produktet, duke marrë “masa kundër reklamave mashtruese, pretendimeve të pavërteta për cilësinë dhe ndikimin mjedisor, si dhe praktikave të cilësisë së dyfishtë” – kjo e fundit e lidhur me rastet kur i njëjti produkt shitet me cilësi të ndryshme në vende të ndryshme.

Një tjetër risi me impakt të drejtpërdrejtë për xhepat e qytetarëve është ajo që njihet si “e drejta për riparim”, e cila garanton “mundësinë e riparimit të produkteve edhe pas përfundimit të garancisë ligjore, sipas kushteve të përcaktuara në ligj”.

Krijohet Agjencia e re Kombëtare dhe përafrimi me BE-në

Për të siguruar që këto rregulla të mos mbeten vetëm në letër, ligji parashikon ngritjen e një strukture të re të specializuar: Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes së Konsumatorit. Kjo agjenci do të jetë “një autoritet i dedikuar për mbikëqyrjen e tregut, hetimin e praktikave të padrejta dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve”.

Në aspektin integrues, Ibrahimaj theksoi se ky ligj është një hap i madh përpara drejt standardeve evropiane, pasi ai “përafron legjislacionin shqiptar me 14 direktiva dhe 1 rregullore të Bashkimit Evropian”, duke përmbushur kështu disa nga detyrimet më kryesore të vendit tonë në kuadër të Kapitullit 28, i cili mbulon “Mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetin publik”. Sipas ministres, bëhet fjalë për një transformim të thellë që synon t’i ofrojë konsumatorit shqiptar të njëjtat të drejta dhe siguri si ata në vendet e BE-së.

  •  /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme