Arbëreshët e Italisë vizitojnë Gjirokastrën, takime për të forcuar lidhjet kulturore dhe turistike

Turizëm | 2 orë më parë

Gjirokastra ka mirëpritur këtë të mërkurë një grup prej rreth 40 arbëreshësh nga Piana degli Albanesi, në Sicili. Vizita e tyre në qytetin e gurtë vjen si një mundësi për të njohur nga afër historinë dhe trashëgiminë kulturore, por edhe për të sjellë më pranë komunitetet që kanë ruajtur ndër breza gjuhën dhe traditat shqiptare.

Përgjatë qëndrimit në Gjirokastër, arbëreshët u njohën me monumentet, historinë dhe vlerat kulturore të qytetit, duke ndarë edhe përvojën e tyre në ruajtjen e identitetit shqiptar në Itali.

Vijem nga Piana Del Albanesi afër Pallermut në Siqilë. Po edhe ne jemi shqiptarë arbëreshë”, u shpreh një prej grupit të arbëreshëve.

Kjo vizitë shihet si një hap drejt krijimit të marrëdhënieve të reja kulturore dhe turistike. Përtej njohjes me Gjirokastrën, synimi është që këto kontakte të shërbejnë në të ardhmen për shkëmbime dhe bashkëpunime mes arbëreshëve të Italisë dhe komunitetit të Gjirokastrës.

I ftuar, kjo ftesë e hapur është për një aktivitet, i cili nuk është e thënë të quhet festival, por mund të jetë një aktivitet që ne mund ta zhvillojmë në zemër të qytetit, në Kala ose në Pazarin e Vjetër të qytetit, me grupe arbëreshe që do t’i sjellin së bashku me komunën përkatëse të Siçilisë dhe me Bashkinë Gjirokastër. Ne mund ta organizojmë këtë aktivitet së bashku”, tha Flamur Golemi, kryetar i Bashkisë Gjirokastër.

Gjatë muajve të verës, Gjirokastra ka qenë pjesë e një sërë aktivitetesh kulturore, koncertesh dhe panaireve, të cilat kanë sjellë në vëmendje traditat, kulturën dhe vlerat kombëtare, duke u ofruar vizitorëve një tjetër mënyrë për të njohur qytetin dhe trashëgiminë e tij.

Gazetare: E. Domeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme