Gjeloshaj pas vendimit të Hagës: Vendim jashtëzakonisht i padrejtë, beteja për drejtësi vazhdon

Kosovë | 1 orë më parë

Zëvendëskryeministri shqiptar i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një reagim të publikuar në Facebook, Gjeloshaj e ka cilësuar vendimin si “jashtëzakonisht të padrejtë”, duke theksuar se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë dhe se procesi gjyqësor, sipas tij, nuk ka përfunduar.

“Sot mund të jetë ditë zie për shqiptarët, por qëndrimi dinjitoz i të akuzuarve i jep forcë popullit shqiptar që ta përballojë këtë dhimbje, me besimin se ky aktgjykim i tmerrshëm do të rrëzohet në instancat më të larta”, shkroi Gjeloshaj.

Ai shprehu bindjen se në përfundim të procesit do të dëshmohet pafajësia e të akuzuarve, ndërsa e përshkroi luftën e UÇK-së si “vetëmbrojtëse, çlirimtare dhe të drejtë”.

Sipas Gjeloshajt, të akuzuarit i kanë respektuar institucionet ndërkombëtare dhe janë paraqitur para drejtësisë, ndërsa tani do ta vijojnë betejën ligjore në instancat përkatëse.

Në reagimin e tij, ai përmendi edhe ish-gjeneralin kroat Ante Gotovina, duke kujtuar se ai ishte shpallur fajtor në shkallën e parë nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, por më pas u lirua në apel.

Gjeloshaj iu përgjigj gjithashtu debateve rreth një deklarate të mëparshme të tij, duke thënë se ajo ishte nxjerrë jashtë kontekstit. Ai sqaroi se në atë rast kishte folur për respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare nga shqiptarët.

“Besojmë deri në fund; beteja për drejtësi vazhdon”, përfundoi Gjeloshaj.

POSTIMI I PLOTË I GJELOSHAJ
Lajm shumë i keq dhe një vendim jashtëzakonisht i padrejtë!
Sot mund të jetë ditë zie për shqiptarët, por qëndrimi dinjitoz i të akuzuarve i jep forcë popullit shqiptar që ta përballojë këtë dhimbje, me besimin se ky aktgjykim i tmerrshëm do të rrëzohet në instancat më të larta.
Nuk kam besuar kurrë se një vendim gjyqësor mund të ishte i tillë dhe kaq i padrejtë. Ky është vendim i shkallës së parë dhe procesi gjyqësor nuk ka përfunduar.
Besojmë se, deri në përfundimin e plotë të procesit, do të dëshmohet pafajësia e të gjithëve.
Lufta e UÇK-së ishte vetëmbrojtëse, çlirimtare dhe e drejtë. Ishte luftë për mbijetesën, lirinë dhe shtetin e Kosovës, e përkrahur nga aleatët tanë perëndimorë. Agresori nuk mund dhe nuk duhet të barazohet me atë që është detyruar të mbrohet.
Shqiptarët dhe vetë të akuzuarit i kanë respektuar institucionet ndërkombëtare. Ata as nuk kanë ikur, as nuk janë fshehur, por janë paraqitur para drejtësisë dhe do ta vazhdojnë betejën e tyre ligjore deri në fund.
Çdo shqiptar e ka në zemër luftën e shenjtë të UÇK-së dhe komandantin legjendar Adem Jashari. Çdo shqiptar beson në pafajësinë e tyre!
Liria dhe pavarësia kanë një vulë: UÇK-ja dhe Amerika!
P.S.
Nuk ia vlen të komentohet nxjerrja e një deklarate sime nga konteksti dhe manipulimi me të. Biseda ishte për respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare nga shqiptarët, për dallim nga qëndrimi i palës tjetër.
Kurrë nuk kam besuar se gjykatat ndërkombëtare mund të bëjnë padrejtësi. Edhe Ante Gotovina përjetoi padrejtësi në shkallën e parë, por në shkallën e dytë fitoi drejtësia.
Besojmë deri në fund; beteja për drejtësi vazhdon!


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme