Alarm për fruthin në SHBA, pesë viktima në Pensilvani, Nju Jorku shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Amerikë | 48 minuta më parë

Fruthi po përhapet me ritme shqetësuese në disa shtete të SHBA-së, ndërsa Nju Jorku ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të rritjes së rasteve, veçanërisht në komunitetet rurale me mbulim të ulët vaksinimi.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme pas përhapjes së sëmundjes infektive në nivele të konsideruara epidemike. Sipas autoriteteve, kjo është hera e parë që një shtet amerikan merr një masë të tillë që prej rritjes së ndjeshme të rasteve të fruthit në vitin 2025.

Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në fuqi deri më 4 nëntor. Në kuadër të masave për frenimin e përhapjes së sëmundjes, autoritetet kanë zgjeruar grupin e profesionistëve shëndetësorë të autorizuar për të administruar vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.

“Askush nuk duhet të sëmuret rëndë apo të vdesë nga një sëmundje që mund të parandalohet përmes vaksinimit”, deklaroi Hochul.

Sipas të dhënave të përfshira në dekretin ekzekutiv, në shtetin e Nju Jorkut janë raportuar 108 raste fruthi deri më 3 tetor. Prej tyre, 92 janë regjistruar gjatë dy muajve e gjysmë të fundit, që nga 15 korriku, kryesisht në komunitete rurale me nivel të ulët vaksinimi. Në qytetin e Nju Jorkut janë konfirmuar shtatë raste.

Që nga mesi i korrikut, departamentet lokale të shëndetësisë kanë administruar më shumë se 1 mijë doza të vaksinës MMR në zonat rurale të prekura.

Situata është edhe më shqetësuese në Pensilvani, ku autoritetet shëndetësore kanë raportuar pesë viktima nga fruthi, të gjithë persona të pavaksinuar. Mes viktimave janë dy foshnja, një 18-vjeçar dhe një grua 40-vjeçare nga kontenë e Jeffersonit.

Në këtë shtet janë regjistruar rreth 1 mijë raste fruthi, ndërsa rreth 176 persona janë shtruar në spital. Autoritetet kanë raportuar gjithashtu të paktën gjashtë fëmijë të lindur me fruth kongjenital.

Për SHBA-në, ky konsiderohet viti më i rëndë për përhapjen e fruthit që prej vitit 1991. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), në vend janë raportuar deri tani rreth 3,900 raste.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme