PS rrëzon kërkesën e PD për mocion me debat për ish-kreun e SHISH. Balla: Nuk ndërhyjmë në punën e SPAK

Politikë | 1 orë më parë

Partia Socialiste ka rrëzuar me 76 vota kundër dhe 37 pro kërkesën e PD-së për mocion me debat për ish-kreun e SHISH-it, Vlora Hyseni, e cila aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg”.

Në fjalën e mbajtur nga foltorja e Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, përsëriti qëndrimin e socialistëve për mosndërhyrje dhe mbivendosje në çështjet e SPAK-ut, duke theksuar se Prokuroria e Posaçme duhet të bëjë punën e saj përmes një procesi të pavarur hetimi dhe gjykimi.

“Lidhur me hetimet ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it, qëndrimi ynë është i qartë: ne presim që organi i akuzës ta hetojë dhe ta zbardhë deri në fund. Shprehim mbështetjen për SPAK-un, të cilin të gjithë ne këtu, edhe me votimin e sotëm, do ta mbështesim që ta lëmë të bëjë punën e vet. Koha kur politika gjykonte vetveten ka përfunduar njëherë e përgjithmonë me reformën në drejtësi.

Pa asnjë ndërhyrje, pa asnjë mbivendosje, përmes një procesi të pavarur hetimi dhe gjykimi”, deklaroi Balla.

Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, u vetëdorëzua më 22 shtator pranë Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, ndërsa aktualisht ndodhet në masën “arrest në shtëpi”. Ndaj Hysenit rëndojnë akuzat Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Dyshohet se Hyseni i ka vendosur në dispozicion materiale sekrete shtetërore Ergys Agasit, i arrestuar për aferën e AKSHI-t.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme