Trump: Konflikti me Iranin do të përfundojë së shpejti në një mënyrë apo tjetër

Amerikë | 1 orë më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar përsëri se konflikti ushtarak me Iranin do të marrë fund “së shpejti”, duke theksuar se Uashingtoni ka arritur objektivin e tij kryesor për të parandaluar Teheranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, kreu i ekzekutivit amerikan bëri një rezyme të situatës gjeopolitike dhe ndikimit të saj në tregjet e energjisë, duke siguruar se rritja e çmimeve të karburantit është një gjendje e përkohshme.

“Ne e ndaluam Iranin nga zhvillimi armës bërthamore — dhe çmimet e karburantit do të bien ndjeshëm e gjithçka do të përfundojë së shpejti, në një mënyrë apo në një tjetër”, u shpreh Trump.

Duke aluduar për mundësitë e një zgjidhjeje diplomatike apo vazhdimin e trysnisë ushtarake për këtë konflikt disa-mujor, presidenti amerikan nënvizoi se Uashingtoni ka në dispozicion të gjitha opsionet.

“Mund ta bëjmë në të dyja mënyrat, por është shumë e thjeshtë — në një mënyrë apo në një tjetër do të përfundojë së shpejti”, shtoi ai.

Gjatë fjalës së tij, Trump theksoi se infrastruktura mbrojtëse e Iranit është neutralizuar në masë të madhe.

“Ata nuk kanë ushtri, nuk kanë marinë, nuk kanë forcë ajrore, nuk kanë mjete kundërajrore”, deklaroi Trump lidhur me gjendjen ushtarake të Iranit.

Përveç komentit mbi ecurinë e luftimeve dhe çmimet e benzinës në tregun me pakicë, presidenti amerikan njoftoi se po përgatiten masa apo vendime të reja lidhur me sektorin e energjisë. Ai premtoi se së shpejti do të ketë lajme lidhur me situatën e naftës dizel.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme