Navi Pillay fiton Çmimin Nobel për Paqen 2026, vlerësohet për kontributin në drejtësinë ndërkombëtare

Botë | 8 minuta më parë

Juristja nga Afrika e Jugut, me origjinë indiane, Navanethem “Navi” Pillay, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqen 2026. Ajo nderohet për përpjekjet e saj në promovimin e paqes dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe për rolin në ndjekjen penale të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.

Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vlerësuar karrierën e gjatë të Pillay, e cila ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Gjatë shpalljes së fitueses, kryetari i Komitetit Norvegjez të Nobelit, Jørgen Watne Frydnes, theksoi se Pillay ka zgjeruar ndjeshëm fushën dhe ndikimin e së drejtës ndërkombëtare, duke ndihmuar në ndërtimin e një rendi ligjor global më gjithëpërfshirës.

E lindur në Durban të Afrikës së Jugut, në një familje me origjinë indiane, Pillay e nisi karrierën si avokate gjatë aparteidit, kur u përball me diskriminimin dhe përjashtimin sistematik. Në fillimet e saj profesionale, ajo mbrojti Nelson Mandelën dhe figura të tjera që kundërshtonin regjimin e aparteidit.

Gjatë karrierës së saj, Pillay ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën e Lartë të Afrikës së Jugut, në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Ajo ka qenë gjithashtu Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, nga viti 2008 deri në vitin 2014.

Një prej kontributeve të saj të rëndësishme lidhet me jurisprudencën ndërkombëtare për dhunën seksuale gjatë konflikteve. Në Tribunalin për Ruandën, ajo luajti rol në zhvillimin e precedentëve ligjorë që njohën se përdhunimi dhe dhuna seksuale, në rrethana të caktuara, mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit dhe akte të gjenocidit.

Sipas Komitetit të Nobelit, çmimi synon të nënvizojë rëndësinë e së drejtës ndërkombëtare në një kohë kur konfliktet dhe luftërat po shtohen, ndërsa institucionet ligjore përballen me presion politik.

Çmimi Nobel për Paqen 2026 shoqërohet me një vlerë prej 12 milionë koronash suedeze dhe ceremonia e dorëzimit do të zhvillohet më 10 dhjetor në Oslo, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme