Nobeli i Paqes iu dha Navi Pillay, Trump: Person misterioz. Vendim i turpshëm dhe skandaloz

Botë | 1 orë më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar pasi nuk u shpall fitues i Çmimit Nobel për Paqen, duke e cilësuar vendimin e këtij viti si “të turpshëm dhe skandaloz”.

Çmimi iu dha të premten Navi Pillay, ish-gjyqtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe ish-komisionere e lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Vetëm pak orë pas shpalljes së fitueses, gjatë një tubimi në Syracuse, në shtetin e Nju Jorkut, Trump tha se nuk e kishte dëgjuar më parë emrin e saj, duke iu referuar si një “person misterioz”.

“Kjo është një njollë e pashlyeshme për Norvegjinë”, deklaroi presidenti amerikan, duke shtuar: “Ne nuk do ta harrojmë”.

Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të fituar çmimin prestigjioz dhe ka kritikuar edhe vendimin e vitit të kaluar, kur Nobeli për Paqen iu dha lideres së opozitës venezueliane, María Corina Machado.

Gjatë fjalimit të tij, presidenti amerikan përsëriti pretendimet se kishte ndihmuar në përfundimin e tetë luftërave dhe se ishte “pranë zgjidhjes ose fitores” në dy të tjera.

“Nobeli për Paqen është diskredituar përgjithmonë nga një grusht ideologësh radikalë, që janë kundër demokracisë dhe, në të vërtetë, armiq të qytetërimit”, u shpreh Trump.

Edhe në vitin 2025, Shtëpia e Bardhë kritikoi komitetin Nobel, duke e akuzuar se vendoste “politikën mbi paqen”.

Megjithatë, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre i kishte shpjeguar Trumpit vitin e kaluar se fituesit nuk përzgjidhen nga qeveria norvegjeze, por nga një komitet i pavarur me seli në Norvegji.

Komiteti Norvegjez i Nobelit e nderoi Navi Pillay për përpjekjet e saj në promovimin e paqes dhe të drejtës ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, kanë kontribuar në krijimin e një rendi juridik global më gjithëpërfshirës. Kryetari i komitetit, Jørgen Watne Frydnes, vlerësoi rolin e saj në përpjekjet për të siguruar që krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi të ndiqen penalisht.

Pillay, 85 vjeçe, e priti lajmin nga Pallati i Drejtësisë në Nuremberg. Reagimi i saj i parë ishte: “Duhet të jetë shaka”, përpara se të falënderonte të pranishmit që e përshëndetën me duartrokitje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme