Kanosi për dy vite një 73-vjeçar për t’i marrë para, arrestohet 41-vjeçari në Fier

Një 41-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se për rreth dy vite ka kanosur vazhdimisht një 73-vjeçar, me qëllim për t’i marrë një shumë parash.
Në pranga ka rënë shtetasi me inicialet I. Sh., banues në Vlorë, i cili u identifikua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, pas një hetimi të kryer me metoda speciale dhe në vijim të kallëzimit të bërë nga i moshuari.
Sipas policisë, 41-vjeçari dyshohet se e kanoste vazhdimisht të moshuarin që prej vitit 2024, duke i kërkuar një shumë parash, të cilën pretendonte se ia kishte borxh djali i 73-vjeçarit. Sipas Policisë, i arrestuari ka precedent penal për krime kundër personit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Hetimet për rastin vijojnë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




