“Garancia rinore”, në Shkodër mbi 900 përfitues gjatë tre viteve të zbatimit të programit

Sociale | 1 orë më parë

Programi “Garancia Rinore” ka përfshirë gjatë tre viteve të zbatimit në Shkodër mbi 900 të rinj, të moshës 15 deri në 29 vjeç, të cilët kanë përfituar mundësi punësimi, formimi dhe praktika profesionale, me synim lehtësimin e kalimit drejt tregut të punës. Sipas drejtuesve të degës rajonale të AKPA në Shkodër, 2026 ka shënuar numrin më të lartë të të rinjve përfitues  dhe interesi më i madh është për praktikat profesionale.

“Për këtë vit kemi 339 punëkërkues të rinj që i përkasin kategorisë së ‘garancisë rinore’, të cilët kanë përfituar nga programet e ndryshme që ofron drejtoria rajonale duke filluar që nga formimi profesional, programi i vetëpunësimit, programet e punësimit dhe praktikat profesionale dhe programet e tjera. Praktikat profesionale janë ndër më të kërkuar nga studentët të cilët pasi dalin nga bankat e shkollës ndjekin edhe praktikat profesionale që është një mundësi e mirë për t’u njohur me pozicionin e punës dhe pse jo për të qëndruar në vendin e punës”, tha Julian Jana drejtues i AKPA Shkodër.

Nga të rinjtë e përfshirë në program, “Garancia Rinore” shihet si një mundësi konkrete për të fituar aftësi profesionale, përvojë pune dhe për t’u afruar më shumë me tregun e punës.

“Jam një ndër pjesëmarrësit në garancinë rinore dhe një ndër fitueset e grantit të vetëpunësimit. Ky është një program shumë i mirë për ata që kërkojnë nga vetja e atyre, që kërkojnë të kenë një punë në të ardhmen, të kenë një eksperiencë”, tha Sineida Shkami, përfituese nga programi “Garancia Rinore”.

Shkodra është një nga tre bashkitë, së bashku me Tiranën dhe Vlorën, ku nisi zbatimi i programit  në vitin 2023. Pas kësaj faze pilot, nga shtatori 2026 “Garancia Rinore” që menaxhohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit  ka nisur zbatimin në nivel kombëtar, duke zgjeruar mundësitë për të rinjtë në të gjithë vendin.

Gazetar: A. Hoti     

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme