Arkitektura e Korçës, tradita dhe moderniteti përballë sfidës së ruajtjes së identitetit

Sociale | 2 orë më parë

Banesat me gurë e çati me tjegulla, fasadat me elemente dekorative, ballkonet dhe dyert prej druri, oborret e brendshme dhe rrugicat me kalldrëm dëshmojnë historinë dhe zhvillimin e qytetit ndër vite.

Një nga simbolet më përfaqësuese të këtij identiteti është Pazari i Vjetër, me hanet, ndërtesat historike dhe rrugicat karakteristike, që ruajnë gjurmët e një tradite të pasur tregtare e zejtare.

Për arkitektët, ky qytet nuk është thjesht një hapësirë e ndërtuar, por një trashëgimi që kërkon vëmendje, kujdes dhe ndërhyrje të menduara dhe sfida mbetet gjetja e ekuilibrit mes nevojës për zhvillim dhe përgjegjësisë për të ruajtur trashëgiminë.

“Vlerësoj shumë Korçën, sepse nuk e ka dëmtuar zonën qendrore. Ka ndërtuar me kujdes dhe e ka zhvilluar zonën e banimit aty ku duhet. Megjithatë, nuk kemi shpëtuar pa disa defekte, të cilat janë pjesë e procesit të zhvillimit dhe janë të kuptueshme. Nuk mund t’u shpëtosh dot të gjithave. Një këshillë për arkitektët e rinj: bëni gabime, por shmangni ato që kemi bërë ne.

Arkitektura është historia e kombit dhe e superstrukturës në hapësirë. Ne lëmë gjurmë në jetën e njerëzve. Si është arkitektura, si është superstruktura, ashtu janë edhe njerëzit. Ne jemi pasqyrë e realitetit në të cilin jetojmë. Korça më pëlqen sepse ka një integrim të shkëlqyer midis së vjetrës dhe së resë. Edhe ndërtimet e reja që janë bërë, sidomos ristrukturimet në bulevardin kryesor, më befasojnë. Prandaj, ka shumë turistë si në Korçë, ashtu edhe në qytetin tim, Vlorë”, u shpreh arkitekti, Arben Meksi.

Ruajtja e kësaj trashëgimie kërkon jo vetëm ndërhyrje restauruese, por edhe ndërgjegjësim për vlerat që mbart qyteti. Një sfidë që, sipas profesionistëve të fushës, përcakton jo vetëm pamjen e Korçës, por edhe mënyrën se si ajo do të kujtohet nga brezat që vijnë.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme