Protesta në Tiranë, Peleshi: E drejta për të protestuar duhet ushtruar në mënyrë paqësore. Dhuna nuk i shërben dialogut

Politikë | 1 orë më parë

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar lidhur me protestën që po zhvillohet në Tiranë, e cila është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë prej dy ditësh.

Peleshi ka theksuar se e drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese, por duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe në respekt të ligjit.

Ai ka nënvizuar se aktet e dhunës nuk i shërbejnë dialogut dhe interesit publik. Peleshi e lidh mesazhin e tij edhe me procesin e integrimit europian, duke theksuar se përgjegjësia qytetare, dialogu dhe respektimi i ligjit duhet të jenë udhërrëfyes për Shqipërinë në këtë fazë të rëndësishme.

“E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese, por duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe në respekt të ligjit. Çdo akt dhune apo vandalizmi është i papranueshëm dhe nuk i shërben as dialogut, as interesit publik.

Në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian, përgjegjësia, dialogu dhe respekti për ligjin janë vlera që duhet të na udhëheqin në çdo rrethanë, veçanërisht në këtë moment me rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë.

Shqipëria po ecën me shpejtësi drejt objektivit të mbylljes së kapitujve të negociatave deri në fund të vitit të ardhshëm.

Bashkimi Europian është destinacioni i të gjithë shqiptarëve, pa dallim. Për këtë qëllim, duhet të kontribuojmë të gjithë me përgjegjësi qytetare dhe historike”, shkruan Peleshi.

Ndërkohë, protesta para Ministrisë së Arsimit vijon mes tensioneve. Një grup protestuesish të maskuar kanë shkulur kangjellat që ndajnë rrugën nga trotuari dhe kanë hedhur molotovë, gurë dhe lëndë plasëse në drejtim të godinës së institucionit.

Mësohet se mjete piroteknike janë hedhur edhe në katin e parë dhe të dytë të godinës, duke shkaktuar flakë në ambientet e saj.

Përballë situatës së krijuar, Policia ka ndërhyrë me autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës, në përpjekje për të shpërndarë protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme