Cenohet Nunciatura Apostolike në Tiranë, Konferenca Ipeshkvore dënon djegien e flamurit

Aktualitet | 1 orë më parë

Gjatë protestës së zhvilluar dje në kryeqytet, është shënuar një episod i rëndë që ka prekur Nunciaturën Apostolike në Tiranë, ku disa protestues kanë hequr dhe djegur flamurin e Vatikanit së bashku me objekte të tjera. Ngjarja është cilësuar si një cenim i simboleve të Selisë së Shenjtë dhe një rrezik i mundshëm për sigurinë e stafit diplomatik.

“Disa protestues kanë hequr flamurin e Vatikanit e më pas duket se e kanë djegur bashkë me objekte të tjera. Ky gjest është tërësisht i papranueshëm.”, thuhet në njoftimin për shtyp të KISH.

Në reagimin zyrtar lëshuar nga Zyra e Shtypit e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë (KISH), theksohet se ky veprim shkon në kundërshtim si me ligjin ashtu edhe me traditën e mikpritjes shqiptare. Sipas deklaratës, e drejta e protestës nuk legjitimon në asnjë mënyrë dhunën apo aktet ndaj miqve të vendit.

“E drejta e protestës nuk përfshin të drejtën e dhunës ndaj askujt e aq më tepër ndaj miqve të vendit tonë.”, theksohet në njoftim.

Thirrja për mbrojtjen e Përfaqësive Diplomatike dhe dënimi i dhunës

Konferenca Ipeshkvore i ka shprehur afërsi Nuncit Apostolik, Sh.T. Imzot Miroslaë Adamczyk, dhe stafit të tij, duke kërkuar nga institucionet masa më të rrepta mbrojtëse në përputhje me ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Njëkohësisht, është dënuar çdo formë dhunës, qoftë nga protestuesit, qoftë nga strukturat shtetërore kur ato prekin jetën e qytetarëve.

“ Gjithashtu ne dënojmë dhunën nga cilado anë të vijë, qoftë nga ana e protestuesve e qoftë nga ana e institucioneve shtetërore, kur ajo cenon jetën dhe shëndetin e protestuesve.” thuhet në njoftimin për shtyp të KISH

Njoftimi mbyllet me një thirrje për qetësi, paqe dhe dialog, duke uruar shmangien e incidenteve të ngjashme në të ardhmen.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme