Reagimet e drejtuesve të PS-së pas sulmit ndaj selisë qendrore, thirrje për ndalimin e dhunës dhe distancim nga aktet ekstremiste

Politikë | 2 orë më parë

Ditën e gjashtë të protestës në kryeqytet, situata është përshkallëzuar sërish pas mesditës së kësaj të diele, ku një grup protestuesish goditën me gurë dhe sende të forta godinën e selisë qendrore të Partisë Socialiste. Ndërhyrja e menjëhershme e forcave të Policisë së Shtetit bëri të mundur shpërndarjen e turmës, ndërsa ngjarja nxiti reagime nga drejtuesit e mazhorancës.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes një reagimi të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, i bëri thirrje kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, të ndërpresë aktet e dhunës. Balla pretendoi se pas sulmit qëndrojnë eksponentë të opozitës dhe faktorë të tjerë politikë, duke deklaruar: “O Sali, largoji urgjent njerëzit që çove tek selia e Partisë Socialiste! Janë të gjithë njerëzit e tu të paguar nga ti dhe nga Agron Shehaj, Arlind Qorri dhe duart e huaja. Kush donte prova e kujt është protesta besoj e morët”.

Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi ngjarjen si një goditje të hapur ndaj parimeve të pluralizmit politik. Nufi nënvizoi se “ky nuk është akt proteste, por sulm ndaj pluralizmit dhe demokracisë! Në demokraci kundërshtari politik përballet me argumente dhe votë — jo me zjarr, gurë e dhunë”.

Ndër të tjera, ai heqi një paralelizëm me të kaluarën duke u shprehur se “as në vitin e mbrapshtë 1997-të nuk janë prekur selitë e partive politike”, ndërsa e emërtoi incidentin si një “akt fashist” dhe kërkoi ndalimin e menjëhershëm të dhunës politike.

Po ashtu, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, kërkoi përgjegjësi publike dhe distancim nga veprimet violente. Në deklaratën e tij drejtuar kreut të PD-së, Klosi u shpreh: “Sali Berisha, pse duhet që protesta të shoqërohet me sulme ndaj selisë së Partisë Socialiste? Protesta është një e drejtë demokratike, por dhuna nuk është zgjidhje. Distancohuni nga akte të tilla dhe bëni thirrje për qetësi e përgjegjësi!”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme