Gjykata e Tiranës cakton masat e sigurisë për 31 të arrestuarit e protestave, masë “detyrim paraqitje” për të rriturit dhe “mbikëqyrje prindërore” për 9 të mitur

Aktualitet | 2 orë më parë

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka zhvilluar këtë të diel seancën gjyqësore për vlerësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masave të sigurisë ndaj 31 personave të ndaluar gjatë zhvillimeve të fundit të protestave në kryeqytet.

Në seancën e drejtuar në prani të prokurorëve, të pandehurve, mbrojtësve ligjorë, si dhe përfaqësuesve të Avokatit të Popullit e psikologëve për rastet e të miturve, trupi gjykues vendosi lirimin e menjëhershëm nga qelia të të gjithë të ndaluarve, duke caktuar masa sigurimi pa karakter burgosës.

Për pjesën më të madhe të të rriturve të hetuar për veprat penale të “kundërshtimit të punonjësit të policisë”, “shkatërrimit të pronës” apo “vjedhjes”, gjykata caktoi masën e sigurimit personal “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Për dy prej personave nën hetim, shtetasit I. D. dhe A. L., përveç detyrimit të paraqitjes, u vendos edhe masa e “ndalimit dhe detyrimit të qëndrimit në një vend të caktuar”. Gjykata u ndaloi atyre t’u afrohen ndërtesave të institucioneve publike në një distancë më të vogël se 100 metra, si dhe pjesëmarrjen në çdo tubim apo manifestim publik pa autorizim paraprak.

Ndaj 9 të miturve në konflikt me ligjin (rrethanë ku përfshihen edhe raste të dyshuara për “shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse” apo “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”), trupi gjykues aplikoi masën e sigurimit “vendosja e të miturit në mbikëqyrje”, sipas Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur. Mbikëqyrja iu besua prindërve ose të afërmve të tyre, të cilët morën përsipër garantimin e pranisë së fëmijëve para organit procedues dhe ruajtjen e një sjelljeje konforme ligjit.

Gjykata paralajmëroi gjithashtu prindërit dhe mbikëqyrësit ligjorë se dështimi i kontrollit ndaj të miturve për shkak të veprimeve apo mosveprimeve të tyre dënohet me gjobë deri në 20,000 lekë. Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtën e ankimit brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme