Reagimi i Zëvendëskryeministres Albana Koçiu: Dënoj sulmin ndaj 10 efektivëve te Komisariati Nr. 3

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar publikisht lidhur me sulmin e shënuar pranë ambienteve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë, ku mbetën të plagosur 10 efektivë të rendit pas goditjeve nga një grup personash të maskuar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, zëvendëskryeministrja u shprehi mbështetjen dhe u uroi shërim të shpejtë punonjësve të lënduar, ndërsa vuri nëdukje faktin se efektivët e goditur nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të protestës.
Duke parë shkallën e dhunës së ushtruar, Koçiu ngriti pikëpyetje mbi identifikimin e autorëve të këtij incidenti, duke i bërë apel të drejtpërdrejtë pjesëmarrësve paqësorë në tubime:
“A mund të jenë studentë këta? 10 punonjës të Policisë, të cilët nuk kanë qenë të angazhuar gjatë protestave, janë plagosur pa asnjë arsye nga një grup personash të maskuar, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3.”
Në vijim të mesazhit të saj, zyrtarja e lartë e qeverisë iu drejtua qytetarëve dhe në mënyrë të veçantë komunitetit studentor me një thirrje të qartë për t’u shkëputur nga çdo akt violent që cënon sigurinë publike.
“I bëj thirrje çdo qytetari që ushtron në mënyrë paqësore të drejtën e protestës dhe, në veçanti, studentëve, të distancohen prerazi nga personat e dhunshëm dhe aktet e tyre të mbrapshta, që kërcënojnë sigurinë dhe qetësinë e të gjithëve”, deklaroi Koçiu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




