Mediat amerikane: Trump favorizon Orbán për postin më të lartë në OKB

Zyrtarë të administratës së presidentit amerikan Donald Trump po promovojnë kandidaturën e ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, raportoi Wall Street Journal.
Sipas gazetës amerikane, Orbán mund të shndërrohet në një kandidat të përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës për drejtimin e OKB-së. Burime nga të tria vendet kanë deklaruar se administrata Trump e mbështet idenë e kandidimit të ish-liderit hungarez.
Viktor Orbán humbi pushtetin pas zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara në Hungari në muajin prill, kur partia “Tisza” e Péter Magyar i dha fund qeverisjes së tij 16-vjeçare me shumicë absolute.
Politikat e tij konservatore dhe kritikat ndërkombëtare lidhur me gjendjen e shtetit të së drejtës në Hungari kanë shkaktuar tensione me Bashkimin Evropian dhe NATO-n gjatë viteve të fundit. Megjithatë, Orbán ka ruajtur marrëdhënie të afërta me Donald Trump, presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin kinez Xi Jinping.
Pas largimit nga pushteti, autoritetet hungareze nisën hetime për mashtrim dhe korrupsion ndaj disa anëtarëve të qeverisë së mëparshme. Dy ish-ministra dhe ish-guvernatori i Bankës Kombëtare të Hungarisë janë arrestuar, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë e përfshirjes së vetë Orbán në këto çështje.
Megjithatë, Wall Street Journal thekson se ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar.
Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit ka pranuar se ideja mund të duket e pazakontë në shikim të parë, por ka shtuar se nga bisedimet e zhvilluara rezulton se edhe Rusia dhe Kina e shohin pozitivisht këtë kandidaturë.
“Kur Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina bien dakord për të njëjtën çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, zakonisht e arrijnë qëllimin e tyre”, cituhet të kenë deklaruar për gazetën zyrtarë amerikanë dhe diplomatë të një vendi tjetër.
Mandati i dytë pesëvjeçar i Sekretarit aktual të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, përfundon më 31 dhjetor.
Megjithatë, kandidatura e Orbán mbetet e pasigurt, pasi për t’u zgjedhur ai duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën nëntë prej 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ndërsa secili prej pesë anëtarëve të përhershëm ka të drejtën e vetos.
Deri tani, as Shtëpia e Bardhë, as Moska dhe as Pekini nuk i kanë konfirmuar zyrtarisht këto informacione.
Sipas WSJ, Orbán do të pranonte të kandidonte vetëm nëse do të kishte garanci të forta për fitoren, një skenar që për momentin konsiderohet i vështirë të realizohet.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




