Udhëheqësit finlandezë dhe norvegjezë, bisedë me Putin për Ukrainën, në fokus negociatat për përfundimin e luftës

Botë | 1 orë më parë

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, dhe kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, kanë zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, ku diskutuan zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës. Stubb i cilësoi diskutimet si “të sinqerta dhe thelbësore”. Sipas një deklarate të zyrës së presidentit finlandez, telefonata ishte vazhdim i takimit të zhvilluar javën e kaluar në Oslo, ku Stubb dhe Støre pritën bisedimet mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës.

Qëllimi i kontaktit me Putinin ishte përcjellja e drejtpërdrejtë e mesazheve lidhur me negociatat e ardhshme për përfundimin e luftës. Sipas deklaratës, biseda lidhej edhe me takimet e planifikuara mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Abu Dhabi, të cilat pritet të zhvillohen në fillim të nëntorit.

“Përfundimi i luftës kërkon diskutime të drejtpërdrejta”, deklaroi Stubb pas telefonatës, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve diplomatike me Moskën.

Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre theksoi kostot e mëdha njerëzore dhe materiale të luftës, duke paralajmëruar se pasojat e saj do të ndihen për breza të tërë. “Lufta vjen me kosto të mëdha njerëzore dhe materiale. Vuajtjet dhe shkatërrimi do të ndikojnë në breza. Në telefonatë theksuam rëndësinë e deeskalimit”, u shpreh Støre.

Të dy vendet nordike kufizohen me Rusinë dhe janë ndër mbështetëset e Ukrainës. Sipas deklaratës zyrtare, Helsinki dhe Oslo kanë interes të përbashkët për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Detit Baltik dhe në Veriun e Largët.

Megjithatë, zyra e presidentit finlandez sqaroi se Stubb dhe Støre zhvilluan telefonatën në cilësinë e drejtuesve të vendeve të tyre dhe nuk folën në emër të Evropës në tërësi.

Biseda zhvillohet në një moment kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po vijojnë, ndërsa vëmendja është përqendruar te takimet e pritshme në Abu Dhabi dhe mundësia e avancimit të negociatave mes palëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme