Kupa e Botës U-15/ Shqipëria U-15 fiton tre ndeshje radhazi, nesër përballet me Perunë

Kombëtarja shqiptare U-15 po vijon paraqitjet pozitive në fazën e dytë të FIFA U-15 World Cup & Festival 2026, që po zhvillohet në Azerbajxhan. Pas ndeshjes ndaj Egjiptit, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armand Dama kanë regjistruar tri fitore radhazi, duke treguar karakter dhe forcë konkurruese në përballjet ndërkombëtare.
Shqipëria triumfoi fillimisht 4-1 ndaj Algjerisë, për të vijuar më pas me fitoren 2-1 ndaj Australisë. Në ndeshjen e radhës të zhvilluar pasditen e sotme, kuqezinjtë siguruan një tjetër sukses, duke mposhtur Bosnje-Hercegovinën me rezultatin 4-3.
Kombëtarja U-15 do të zbresë sërish në fushë nesër, në ndeshjen e fundit të turneut, ku do të përballet me Perunë. Kjo sfidë do të përcaktojë renditjen përfundimtare të Shqipërisë, e cila do ta mbyllë këtë eksperiencë ndërkombëtare në vendin e 17-të ose të 18-të.
Përtej rezultateve, pjesëmarrja në FIFA U-15 World Cup & Festival 2026 përbën një mundësi të rëndësishme për futbollistët e rinj kuqezi për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për t’u përballur me kundërshtarë nga shkolla të ndryshme futbolli.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




