Nënshkruhet marrëveshja për Parkun Eolik të Spillesë, Karakaçi: Projekti është gati për ndërtim, operimi nis në vitin 2028

Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë me nënshkrimin e marrëveshjes për nisjen e punimeve të Parkut Eolik të Spillesë, projekti i parë i madh i energjisë së erës që kalon në fazën e zbatimit në vend.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se projekti me kapacitet të instaluar prej 72.6 megavatësh është gati për ndërtim, ndërsa operimi tregtar pritet të nisë në tremujorin e parë të vitit 2028.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë austriake VERBUND, Karakaçi e cilësoi projektin si një moment historik për sektorin energjetik shqiptar, duke theksuar se për herë të parë vendi kalon nga potenciali teorik i energjisë së erës në realizimin konkret të një parku eolik.
“Fillon puna për ndërtimin e parkut të parë nga energjia e erës në Shqipëri, me kapacitet 72.6 MW. Me kompaninë e mirënjohur VERBUND nënshkruam marrëveshjen për nisjen e punimeve për ndërtimin e Parkut Eolik të Spillesë, një projekt që shënon një moment të rëndësishëm, duke hapur një kapitull të ri në zhvillimin e energjisë së erës në Shqipëri”, u shpreh ministri.
Sipas tij, projekti përfaqëson një investim strategjik që do të kontribuojë në rritjen e prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme, duke e bërë sistemin energjetik shqiptar më të qëndrueshëm dhe më të diversifikuar.
Karakaçi vlerësoi gjithashtu rëndësinë e partneritetit me kompaninë VERBUND, e cila është e pranishme në Shqipëri edhe përmes projektit hidroenergjetik të Ashtës.
“Për ne, ky projekt është një dëshmi e rëndësisë së partneriteteve ndërkombëtare dhe e besimit që investitorët me përvojë i japin potencialit energjetik të Shqipërisë. Prania e VERBUND në vendin tonë përbën një bazë të fortë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë së rinovueshme”, deklaroi ai.
Parku Eolik i Spillesë do të ndërtohet në territorin e Bashkisë së Rrogozhinës dhe pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për ekonominë lokale. Ministri theksoi se projekti do të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës së aksesit, si dhe do të krijojë mundësi për angazhimin e kompanive dhe nënkontraktorëve shqiptarë gjatë fazës së ndërtimit.
“Ne presim që me anë të këtij bashkëpunimi të kemi sa më shumë nënkontraktorë shqiptarë që përfitojnë nga ky proces. Ky investim ka rëndësi jo vetëm për kapacitetin e ri prodhues, por edhe për zhvillimin ekonomik të zonës”, tha Karakaçi.
Ai shtoi se zhvillimi i energjisë së erës është pjesë e strategjisë afatgjatë për të garantuar siguri energjetike dhe për të shfrytëzuar potencialet që vendi ende nuk i ka vënë plotësisht në funksion të ekonomisë.
“E ardhmja energjetike e Shqipërisë nuk ndërtohet vetëm mbi atë që kemi arritur deri më sot, por edhe mbi aftësinë tonë për të shfrytëzuar potencialet që ende nuk janë vënë plotësisht në funksion të ekonomisë. Pikërisht për këtë arsye ky projekt ka një rëndësi të veçantë, pasi vendosim për herë të parë një projekt kaq të madh të energjisë së erës në zbatim”, përfundoi ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




