Mes përpjekjeve për armëpushim, Irani konfirmon marrjen e letrës së JD Vance dhe pret zhvillimet diplomatike

Mediat iraniane raportojnë se Teherani ka marrë një letër nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, por deri më tani nuk i është përgjigjur asaj, në një kohë kur po vijojnë përpjekjet diplomatike për rikthimin e negociatave mes dy vendeve.
Sipas agjencive iraniane të lajmeve Tasnim dhe Fars, të cilat citojnë burime të njohura me çështjen, letra është marrë nga autoritetet iraniane, por ende nuk ka një reagim zyrtar nga Teherani.
Ndërkohë, gazeta amerikane Wall Street Journal raportoi se JD Vance ia ka dërguar letrën zyrtarit të lartë iranian të sigurisë, Mohsen Rezaei, me udhëzim të presidentit amerikan Donald Trump. Sipas raportit, qëllimi i kësaj nisme është ringjallja e negociatave dhe shmangia e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
Raportohet se letra dhe kontaktet pasuese mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë janë fokusuar në krijimin e një kuadri të mundshëm për negociata, pa hyrë në detaje konkrete për kushtet e një marrëveshjeje të mundshme.
Korrespondenca vjen në një moment kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit ende nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Të mërkurën, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani po diskuton me ndërmjetës ndërkombëtarë, kryesisht Katarin dhe Pakistanin, një plan për t’i dhënë fund luftës dhe për të rihapur rrugët detare të prekura nga konflikti.
Sipas autoriteteve iraniane, Teherani kërkon plotësimin e shtatë kushteve përpara se të japë dakordësinë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Mes tyre përfshihen një armëpushim në Lindjen e Mesme, zhbllokimi i aseteve iraniane jashtë vendit, heqja e sanksioneve ndaj sektorit të naftës dhe përfundimi i bllokadës detare amerikane.
Agjencia Tasnim thekson se çdo qëndrim që cenon këtë kuadër të vendosur nga Irani konsiderohet i papranueshëm nga Teherani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




