Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare aktori i njohur, Sir Patrick Stewart

Bota e artit dhe e kinematografisë botërore është në zi pas ndarjes nga jeta të një prej aktorëve më të mëdhenj të kohës sonë, Sir Patrick Stewart.
Aktori i njohur britanik, i adhuruar nga miliona fansa anembanë globit për rolet e tij monumentale në “Star Trek” dhe “X-Men”, u nda nga jeta të mërkurën në moshën 86-vjeçare, në shtëpinë e tij në Los Anxhelos.
Lajmi i hidhur u konfirmua të enjten përmes një njoftimi zyrtar në llogaritë e tij në rrjetet sociale, ku u bë e ditur se humbja e tij erdhi pas një beteje të vështirë me sëmundjen e Alzheimerit dhe Demencën.
Sipas deklaratës së publikuar nga familja, në orët e tij të fundit Sir Patrick ishte i rrethuar nga dashuria e njerëzve të tij më të afërt dhe u nda nga jeta në kujdesin e dashur të bashkëshortes së tij të shtrenjtë, Sunny.
Në njoftim thuhet se ai u mbajt në përqafimin e ngrohtë të familjes dhe miqve, i rrethuar nga muzikë e gjallë, lutje, lot, të qeshura dhe ai lloj emocioni i thellë që vetëm ai mund të frymëzonte pas një jetë të pashterur përkushtimi ndaj nesh të gjithëve.
Përjetë do të ruhet në kujtesë qetësia dhe reflektimi në fytyrën e tij, si një kujtesë e paharrueshme e hijeshisë së tij të pamposhtur.
I lindur në Mirfield, në West Riding të Yorkshire të Britanisë së Madhe, Sir Patrick Stewart ndërtoi një nga karrierat më të respektuara dhe të gjata në historinë e artit skenik dhe kinematografik.
Rrugëtimi i tij artistik nisi në skenat prestigjioze të Trupës Mbretërore të Shekspirit, ku ai dëshmoi talentin e tij të rrallë në interpretimin e dramave klasike.
Gjatë një karriere që përfshin gjashtë dekada, ai arriti të fitojë zemrat e audiencave të të gjitha brezave, duke u shndërruar në një simbol të artit përmes roleve të paharruashme si Kapiteni Jean-Luc Picard në serialin kult Star Trek: The Next Generation, Profesor Charles Xavier në serinë e filmave X-Men, si dhe përmes interpretimeve të tij mjeshtërore në teatër dhe në skenat e Broadway-it.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë, ai u kurorëzua me titullin e lartë Kalorës nga Mbretëresha Elizabeth II në vitin 2010.
Ndarja nga jeta e Sir Patrick Stewart lë një boshllëk të pazëvendësueshëm në botën e aktrimit, por trashëgimia e tij artistike, zëri i tij unik dhe shpirti i tij fisnik do të mbeten të paharruara përtej kohës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




