Zgjedhjet vendore më 9 maj 2027, Presidenti Begaj dekreton datën e votimeve

Aktualitet | 2 orë më parë

Presidenti Bajram Begaj, ka dekretuar datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Në një njoftim zyrtar, Presidenca bën me dije se vendimi u mor pas konsultimeve me përfaqësues të forcave politike të përfaqësuara në Kuvend dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Thirrjes për konsultim iu përgjigjën Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ndërsa subjektet e tjera politike nuk morën pjesë.

Sipas Presidencës, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve sugjeroi datën 9 maj, duke argumentuar se ajo ofron më shumë kohë për përgatitjen e masave zbatuese. Të njëjtën datë parapëlqeu edhe Partia Socialdemokrate.

Në njoftim theksohet se data e zgjedhur nuk lidhet me asnjë rezervë apo paragjykim për favorizimin e palëve të caktuara apo për ndikim në vullnetin e lirë të zgjedhësve.

Presidenti u ka bërë thirrje subjekteve politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë, si dhe të garantojnë një proces të drejtë, konkurrues dhe në përputhje me standardet demokratike. Ai gjithashtu ka kërkuar bashkëpunim të plotë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbarëvajtjen e procesit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme