Kontrolle të shtuara në Zonat e Mbrojtura, synim parandalimi i gjuetisë së paligjshme dhe prerjes së pyjeve në qarkun e Gjirokastrës

Sociale | 1 orë më parë

Për të parandaluar dhe evidentuar veprimtaritë e paligjshme, si gjuetia e paligjshme dhe prerja e pyjeve, në territorin e zonave të mbrojtura të qarkut të Gjirokastrës, Administrata e Zonave të Mbrojtura ka intensifikuar kontrollet në terren. Këtë e bën të ditur specialistja për menaxhimin e zonave të mbrojtura në Gjirokastër, Klevisa Tusuni.

“Administrata e Zonave të Mbrojtura Gjirokastër ka intensifikuar kontrollet në terren, me qëllim parandalimin dhe evidentimin e rasteve të paligjshme në zonat e mbrojtura të qarkut të Gjirokastrës. Vëmendje të veçantë gjatë kësaj periudhe i kushtohet gjuetisë së paligjshme, si dhe prerjes së pyjeve, të cilat janë veprimtari të ndaluara dhe të ndëshkueshme me ligj. Në bazë të ligjit nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar me ligjin nr. 21/2024, për shkak të vlerave të tyre ekologjike dhe rëndësisë së habitateve të florës dhe faunës, ushtrimi i gjuetisë dhe prerja e pyjeve përbëjnë shkelje të rënda të legjislacionit mjedisor, duke u ndëshkuar me masa administrative, si dhe me përgjegjësi penale, sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Klevisa Tusinu, specialiste.

Nga ana tjetër, është forcuar edhe bashkëpunimi ndërinstitucional, me synim rritjen e efektivitetit në monitorimin dhe mbrojtjen e këtyre territoreve.

“Në kuadër të këtyre masave, kemi edhe një bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Shtetit për evidentimin, parandalimin dhe identifikimin e personave që kryejnë këto shkelje. U bëj thirrje të gjithë banorëve të qarkut të Gjirokastrës të zbatojnë ligjin dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pasurive natyrore”, tha ajo.

Autoritetet e Zonave të Mbrojtura bëjnë me dije se mbrojtja dhe ruajtja e pasurive natyrore mbetet një ndër prioritetet kryesore të punës së tyre.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme