Sulmuan me sende të forta një 48-vjeçar, identifikohen 6 autorët e dyshuar

Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Details”, duke identifikuar 6 persona për ngjarjen e dy ditëve më parë, kur një 48-vjeçar u godit me sende të forta brenda një berberhane.
Dy prej tyre janë vendosur në pranga, ndërsa policia bën të ditur se po punon për kapjen e katër të tjerëve.
Operacioni çoi në sekuestrimin e një arme zjarri pistoletë dhe një arme gjahu të zotëruara nga të dyshuarit, dy automjete dhe disa veshje që dyshohet se i mbajtën gjatë ngjarjes.
“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të një konflikti të ndodhur më datë 05.01.2025, si pasojë e të cilit u dëmtua më sende të forta shtetasi A. R., 48 vjeç, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, Komisariati i Policisë Nr. 3 ka finalizuar operacionin e koduar “Details”.
Si rezultat i këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. K., 24 vjeç dhe L.T, 31 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. K., L.(A.). K., G. K. dhe D.(A.). K.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 05.01.2025, në një berberhane, në rrugën “29 Nëntori”, kanë goditur me sende të forta, dyshohet për motive të dobëta, shtetasin A. R., 48 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, gazetarja e RTSH-së, Flutura Tota, ka zbardhur detaje të tjera rreth ndodhisë.
Luçiano K. dyshohet se e planifikoi ngjarjen së bashku me disa familjarë, të cilët mbajtën nën vëzhgim shtetasin Adriatik R. përpara se ta sulmonin brutalisht në zonën e ish-sheshit Shqiponja.
I dëmtuari ka marrë goditje të shumta në kokë e gjymtyrë dhe po trajtohet në spitalin e Traumës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




