Fluksi i emigrantëve për festat e fundvitit, Hoxha nga Kakavija: Greqia mori masa për lehtësimin e kalimit

Aktualitet | 2 vite më parë

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka vizituar pikën kufitare të Kakavijës, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtorin e departamentit të Policisë Kufitare, për të inspektuar hyrje-daljet gjatë periudhës së festave.

Gjatë inspektimit, Hoxha u takua edhe me drejtuesit e policisë greke, ku diskutuan mbi masat për përballimin e fluksit të qytetarëve shqiptarë në këtë pikë kufitare dhe pikat e tjera kufitare. Ai theksoi se masat janë marrë për të përballuar këtë fluks dhe për të menaxhuar më mirë kalimet kufitare.

Ministri Hoxha po ashtu përmendi bisedën që zhvilloi javën e kaluar me ambasadoren greke mbi planin e masave dhe vizitoi qendrën e koordinimit të krijuar në përputhje me marrëveshjet ndërqeveritare, e cila funksionon përmes bashkëpunimit të forcave policore të dy vendeve.

“Sot bashkërisht me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtorin e departamentit të Policisë Kufitare vizituam pikën kufitare të Kakavijës. Në inspektim pata mundësinë të takoja edhe drejtuesit e policisë greke që ndava disa shqetësime. Javën e kaluar pata një bisedë me ambasadoren greke mbi planin e masave për të përballuar fluksin e qytetarëve shqiptar në pikën kufitare Kakavijë dhe pikat e tjera. Masat janë marrë në përballimin e këtij fluksi. Bashkë me drejtuesin e policisë greke vizituam edhe qendrën e koordinimit, e cila është ngritur në zbatim të marrëveshjeve ndërqeveritare, funksionon si e tillë në bashkëpunim me forcat greke dhe shqiptare”, tha Hoxha.

Ministri falënderoi përfaqësuesit e Frontex-it për mbështetjen në luftën kundër migracionit të paligjshëm, duke theksuar se ka pasur një ulje të konsiderueshme të këtij fenomeni, deri në 60%. Hoxha vlerësoi përmirësimin e menaxhimit të kalimit të qytetarëve në pikat kufitare gjatë këtij viti.

“Falënderoj përfaqësuesit e Frontex-it. Në bazë të marrëveshjes që kemi nënshkruar me Frotenx-in dhe qeverisë shqiptare për migracionin e paligjshëm kemi pasur suksese në nivele shumë të mira, emigracioni i paligjshëm është ulur deri në 60%. Bashkëpunimi midis policive është i ndërsjellët ka prioritet lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve. Këtë vit kemi një përmirësim sa i përket menaxhimit të kalimit të qytetarëve në pikat kufitare”, tha ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme