Vrasja e 14-vjeçarit, flasin prindër e nxënës: Vëmendje më e shtuar nga familjet dhe mësuesit

Aktualitet | 2 vite më parë

Prindër, nxënës e mësues janë sot në lot për tragjedinë e ndodhur një ditë më parë vetëm pak metra larg shkollës “Fan Noli”, ku një 14-vjeçar u qëllua me thikë për vdekje nga bashkëmoshatari i tij.

Për “Jetë Shqiptare”, prindër të nxënësve të kësaj shkolle kanë shprehur trishtimin e madh për ngjarjen e rëndë, dhe frikën për sigurinë e fëmijëve në shkolla.

Ata u shprehën se nevojitet një kujdes më i madh në institucionet arsimore, një vëmendje më e shtuar nga mësuesit me evidentimin e problematikave mes nxënësve.

“Patjetër që jemi të shqetësuar. Në vend të vijnë me fletore në shkollë, vijnë me lule në duar. Djali është i shqetësuar, ka rastisur aty kur i ndjeri është rrëzuar në tokë. Për momentin nuk flet se është në shok.

Apel për mësuesit që t’i ndjekin edhe 1 minutë, ose pak metra jashtë shkolle, apel për nxënësit që të vijnë në shkollë për të mësuar, apel edhe për prindërit që t’i ndjekin”, u shpreh një prej prindërve.

“Të ketë më shumë reputacion nxënësi se mësuesi, është…. Të bëjë një fëmijë 14 vjeç si i fortë më shumë se një mësues, fëmija bën ligjin”, tha një tjetër.

Ndërsa një prej shokëve të viktimës u shpreh se është në gjendje shoku nga ngjarja e rëndë. Ai shtoi se 14 vjeçari ka qenë një djalë tejet pozitiv, i çiltër dhe ekstrovert.

“E kam patur shok klase, ishte djalë shumë i mirë, i  çiltër, ekstrovert. Njihemi gati të gjithë dhe nuk do e mendoja kurrë që diçka e tillë do ndodhte. Trishtim i thellë dhe shok. Nuk dija çfarë të mendoja, ndjenjë zbrazëtie. Unë jashtë klase nuk njoh nxënës. Karafili në dorën time është si simbol për ta përcjellë në jetën e përtejme”, tha ai.

Ngjarja e rëndë e së hënës (18 nëntor) tronditi opinionin publik. Një i mitur u vra me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij pak metra larg ambienteve të shkollës 9 vjeçare “Fan Noli”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme