OBSH dënon sulmin izraelit në spitalin kyç të Gazës: Ky tmerr duhet të marrë fund

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dënuar sulmin e Izraelit ndaj një spitali jetik në veri të Gazës, duke thënë se sulmet ndaj objekteve mjekësore janë dënim me vdekje për mijëra palestinezë dhe se ky tmerr duhet të marrë fund.
“Raportet fillestare tregojnë se disa departamente kryesore u dogjën dhe u shkatërruan rëndë gjatë bastisjes”, tha OBSH në një deklaratë në ‘X’.
Nga ana e saj, ushtria izraelite tha në një deklaratë se kishte nisur një bastisje në spitalin Kamal Adwan pasi ai “shërben si një bastion i terroristëve të Hamasit”, por nuk arriti të sigurojë prova.
Që nga mëngjesi i së premtes, spitali strehoi rreth 350 njerëz, përfshirë 75 pacientë, së bashku me 180 staf mjekësor.
OBSH tha se 60 punonjës shëndetësorë dhe 25 pacientë në gjendje kritike, përfshirë ata në ventilatorë, thuhet se mbeten në spital.
“Pacientët në gjendje të moderuar deri në të rëndë u detyruan të evakuoheshin në Spitalin Indonezian të shkatërruar dhe jofunksional” tha agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se ishte thellësisht e shqetësuar për sigurinë e tyre.
OBSH përsëriti thirrjen e saj për një armëpushim.
“Kjo bastisje në spitalin Kamal Adwan vjen pas përshkallëzimit të kufizimeve në akses për OBSH-në dhe partnerët, dhe sulmeve të përsëritura në ose pranë objektit që nga fillimi i tetorit. Të tilla armiqësi dhe bastisje po zhbëjnë të gjitha përpjekjet dhe mbështetjen tonë për ta mbajtur objektin minimal funksional. Shpërbërja sistematike e sistemit shëndetësor në Gazë është një dënim me vdekje për dhjetëra mijëra palestinezë që kanë nevojë për kujdes shëndetësor. Ky tmerr duhet të marrë fund dhe kujdesi shëndetësor duhet të mbrohet”, thuhet në deklaratën e OBSH-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




