Koreja e Jugut procedon penalisht edhe presidentin Han Duk-so

Parlamenti i Koresë Jugore votoi të premten për të proceduar penalisht presidentin Han Duk-so, dy javë pasi edhe presidenti Jun Suk Jeol u vendos nën akuzë për tradhti ndaj kombit.
192 ligjvënës votuan për fajësimin e presidentit Han Duk-so, i cili ushtronte postin e kryeministrit deri para pak javësh, kur paraardhësi i tij Jun Suk Jeol tentoi të vendosë njëanshmërisht ligjin ushtarak më 3 dhjetor.
Sipas opozitës, Hani duhej ta nxirrte vendin nga kriza politike, por po refuzon të çojë në fund procedimin penal të Junit.
Të premten, salla e parlamentit ra në gjendje kaosi. Deputetët nga Partia Fuqia e Popullit, ku bëjnë pjesë dy presidentët e fundit, protestuan ndaj deklaratës së kreut të Kuvendit se duheshin vetëm 151 vota për të miratuar procedimin e kryetarit në detyrë të shtetit, nga 200 që ishin dashur për procedimin e Junit.
Në sallë u dëgjuan thirrje “e pavlefshme” dhe “abuzim me pushtetin”, ndërsa shumica e deputetëve të mazhorancës e bojkotuan votimin dhe kërkuan dorëheqjen e kryeparlamentarit.
Çoi Sang-mok, ministri aktual i Financave, pritet të ulet tanimë në karrigen e përkohshme të presidentit të Koresë Jugore. /BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




