Ademi pas humbjes me Turqinë: Krenar për “gladiatorët” dardanë, kthehemi më të fortë!

Pavarësisht humbjes 0-1 me Turqinë në “Fadil Vokrri”, që u kushtoi “Dardanëve” eliminimin në Play-off-in e Botërorit, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur me vlerësim të lartë për skuadrën. Numri 1 i futbollit kosovar ndihet krenar për atë që kanë bërë lojtarët dhe stafi në eliminatoret e Botërorit.
Në një postim pas ndeshjes me Turqinë, Ademi shkruan se “gladiatorët” do të kthehen më të fortë, ndërkohë që falënderon tifozët për mbështetjen.
“Jo çdo mbrëmje sjell rezultatin që e dëshirojmë, por çdo sfidë na bën më të fortë. Sonte, djemtë tanë dhanë maksimumin në fushë, me krenari dhe përkushtim për fanellën që përfaqëson një popull të tërë. Fati nuk ishte në anën tonë dhe, ndonëse nuk e merituam një rezultat të tillë, duhet të pranojmë se edhe humbjet janë pjesë e këtij rrugëtimi.
Megjithatë, ato nuk e zbehin as punën dhe as besimin tonë në këtë ekip. Jam i bindur se Gladiatorët dardanë do të rikthehen më të fortë, me më shumë vendosmëri dhe me të njëjtin shpirt luftarak që na ka sjellë deri këtu.
Faleminderit tifozëve “Dardanët”, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe vëllezërve tanë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, por edhe bashkëatdhetarëve tanë kudo që jetojnë e veprojnë, për mbështetjen e pandalur. Kjo humbje dhemb, por qëndrojmë me kokën lart për gjithçka që kemi arritur. E ardhmja do të na sjellë shumë gëzime të tjera. Bashkë vazhdojmë përpara!”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




