AFD provokon për Gjermaninë multietnike, shfryn Klopp: Nuk komentoj idiotësi të tilla

Futboll Bota | 16 minuta më parë

Pas humbjes me Greqinë, Kay Gottschalk, numri 2 i ekstremit të djathtë gjerman krahason skuadrën aktuale me atë të vitit 1990. Trajneri replikon.

Humbja e Gjermanisë me Greqinë nuk kaloi pa pasoja. Vëmendje kanë marrë komentet e politikanëve të ndryshëm të partisë së ekstremit të djathtë AFD në lidhje me numrin e lojtarëve me ngjyrë në fushë. Dhe trajneri Klopp është nervozuar: “Gjermania nuk është shumë e bardhë? Komplet absurditet, që nuk e komentoj”.

Ka ndodhur në prag të ndeshjes së fundit të Ligës së Kombeve, kur trajnerit gjerman iu kërkua një koment në lidhje me disa postime në rrjetet sociale që kritikonin përbërjen e skuadrës. “Nuk ka absolutisht asnjë arsye për t’u kushtuar rëndësi këtyre personave, – deklaroi Klopp. – Nuk do ta dëgjoni opinionin tim për këtë temë. Në jetën e përditshme kam pak kohë për idiotësitë, aq më pak për rrjetet sociale”.

Në rrjetet sociale, Kay Gottschalk, një nga liderët e AFD-së, bënte një krahasim mes Gjermanisë së Botërorit 1990, vetëm me lojtarë të bardhë, dhe skuadrës aktuale që Klopp ka zgjedhur. Ndaj Greqisë ishin në fushë 8 lojtarë me ngjyrë.

“Disa virtyte dhe fryma e skuadrës janë vlera kulturore që zhvillohen gjatë shekujve dhe formohen nga eksperienca historike të përbashkëta”, – ishte komenti racist i partisë që tremb Gjermaninë. Ka ndodhur edhe në të kaluarën. Dhjetë vjet më parë ishte Beatrix von Storch, në atë kohë në krye të AFD-së, që nxirrte të njëjtin konkluzion.

Dy vjet më parë, para Europianit të zhvilluar në Gjermani. Björn Höcke, politikan i AFD-së, kritikoi solidaritetin e skuadrës me komunitetin LGBTQI, duke thënë se “nuk mund të identifikohej më me kombëtaren”.

Në konferencën për shtyp të prezantimit Klopp përdori fjalë uniteti dhe dha një mesazh politik. Pa e përmendur emrin e partisë së ekstremit të djathtë, ai u shpreh se nuk donte ta linte krenarinë kombëtare në duar të gabuara. Në kokë mbante një beretë me ngjyrat e flamurit gjerman dhe shkrimin “Një nga 83 milionë”, duke iu referuar popullatës në vend. Klopp theksoi: “Mund të jesh krenar që je gjerman, duke qenë i hapur dhe xhentil”.

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme