Agjenti i ICE qëllon me armë një person në Nju Jork, i plagosuri dërgohet në spital

Një agjent i Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE) ka qëlluar me armë një person në lagjen Bronx të Nju Jorkut, të enjten. I plagosuri është dërguar në një spital lokal dhe sipas autoriteteve, është ende gjallë.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), nën varësinë e të cilit funksionon ICE, konfirmoi se një agjent kishte qëlluar me armë gjatë një operacioni të posaçëm për arrestimin e një personi që autoritetet e cilësojnë si emigrant të paligjshëm me precedentë penalë, shkruan BBC.
Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, e cilësoi ngjarjen si një situatë jashtëzakonisht serioze dhe të papranueshme. Sipas tij, informacionet paraprake tregojnë se agjentët e kishin rrethuar personin së bashku me një fëmijë pesëvjeçar që ndodhej në automjetin e tij, përpara se të qëllonin disa herë me armë.
Mamdani tha se, sipas informacioneve të disponueshme, fëmija nuk kishte pësuar lëndime fizike. Ai gjithashtu bëri të ditur se do t’i kërkojë presidentit amerikan, Donald Trump, t’i japë fund operacioneve të zbatimit të ligjit për emigracionin nga ICE në qytet.
“Unë nuk do të qëndroj duarkryq ndërsa agjentët e ICE terrorizojnë komunitetet tona”, shkroi Mamdani në rrjetin social X.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, deklaroi se kishte zhvilluar një bisedë me presidentin Trump lidhur me të shtënat, duke shprehur indinjatën e saj në emër të banorëve të shtetit. Ajo kërkoi gjithashtu publikimin e pamjeve të kamerave të trupit të agjentëve, në mënyrë që të sqarohen rrethanat e ngjarjes.
Trump nuk ka bërë ende një deklaratë publike për incidentin.
Ndërkohë, DHS bëri të ditur se personi i plagosur ishte nga Republika Dominikane dhe se kishte një dënim të mëparshëm për vjedhje të rëndë, si dhe disa arrestime të mëparshme për sulm, grabitje, posedim droge dhe armësh. Sipas departamentit, ai ishte arrestuar nga policia e Nju Jorkut në dhjetor të vitit 2023, por ishte liruar disa ditë më vonë.
Autoritetet amerikane pretenduan gjithashtu se personi kishte lidhje me grupin Trinitarios, të cilin Departamenti i Drejtësisë e përshkruan si një organizatë kriminale me veprimtari ndërkombëtare.
Pas ngjarjes, një grup protestuesish u mblodhën në vendin ku ndodhën të shtënat, duke kërkuar drejtësi dhe largimin e agjentëve të ICE nga rrugët e qytetit.
Nju Jorku është një nga disa qytetet amerikane që kufizojnë bashkëpunimin e policisë lokale me autoritetet federale në zbatimin e ligjeve të emigracionit.
Incidenti vjen në një kohë kur këtë vit janë regjistruar disa raste të bujshme të të shtënave ku janë përfshirë agjentë të ICE, përfshirë atë që çoi në vdekjen e Renee Good në Minneapolis në janar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




