Forbes bën llogaritë e Lionel Messi-t, përfitime prej 1.8 miliardë dollarësh në karrierë

Paratë e fituara në më shumë se 20 vite karrierë e bëjnë ish-numrin 10 të Argjentinës një nga sportistët më të pasur në botë.
Prej vitesh i shoqëruar nga skepticizmi për të çuar Argjentinën te lavdia botërore, ku mungonte që nga 1986-a, Lionel Messi ka larguar çdo dyshim. Ai ngriti lart Kupën e Botës në 2022-shin me një paraqitje të paharrueshmë në finale ndaj Francës.
Ajo fitore e madhe i hapi rrugën e një tjetër faze të karrierës dhe jetës, që kulmoi me arritjen e një rekordi historik: një pasuri neto e vlerësuar nga Forbes prej 1.1 miliardë dollarësh, që e shenjtëron zyrtarisht mes miliarderëve të sportit global.
Në më shumë se 20 vjet karrierë si profesionist, të ardhurat totale të Messi-t kanë kapur shifrën 1.8 miliardë dollarë. Rreth 1.2 miliardë dollarë vijnë nga pagat faraonike që ka marrë te klubet ku ka luajtur. Nga debutimi te Barcelona, ku ka arritur përfitime neto në gati 75 milionë në sezon (u ble që 13 vjeç për 42 mijë euro pas një akordi të famshëm që u firmos në një tavolinë të vogël), për të kaluar te 35 milionë në vit të PSG e deri tek eksperienca aktuale tek Inter Miami.
Rreth 600 milionë dollarë vijnë nga sponsorizimet e brand-eve globale dhe aktiviteti i sipërmarrjes jashtë fushe të argjentinasit.
Kur ishte në fund të kontratës me PSG-në, Messi mund të ndiqte rrugën e rivalit Cristiano Ronaldo në Saudi Pro League, duke pranuar oferta faraonike deri në 400 milionë dollarë në vit. Por zgjodhi Major League Soccer dhe Inter Miami-n, duke firmocur një kontratë deri më 31 dhjetor 2028 me klubin amerikan.
Paketa ekonomike totale e skuadrës amerikane është mes 70 dhe 80 milionë dollarëve në vit (baza fikse e pagës rreth 28 milionë). Vlera e vërtetë e shtuar qëndron në vizionin strategjik të babait-agjent (i ndarë nga jeta tashmë): një klauzolë unike që e lejon të blejë një kuotë në minorancë (rreth 10%) të klubit sapo të tërhiqet, duke e rritur vlerën e klubit nga 500 milionë në më shumë se 1 miliard dollarë.
Portofoli ekonomik i “Pleshtit” zgjerohet nga shikueshmëria që i ofrojnë SHBA-të. Janë kontrata e përjetshme e firmosur në 2017-ën me Adidas (me këtë brand është testimonial nga 2006-a) pjesëmarrja te të ardhurat nga abonimet streaming të Apple TV në lidhje me MLS-në.
Pastaj është edhe aktiviteti si sipërmarrës. Nga rrjeti i restoranteve te pronësia e kompanive imobiliare dhe pjesëmarrja në botën e futbollit si aksioner (Cornellà, Deportivo Lsm në Uruguaji bashkë me mikun Luis Suárez dhe së fundi blerja e kuotave në mazhorancë e Eldense).
Një perandori e vërtetë ajo digjitale, me më shumë se 650 milionë ndjekës në total (të paktën 517 milionë në Instagram, 118 në Facebook, 5 milionë në YouTube dhe 10 në platformën kineze Weibo).
Me këtë arritje, Messi futet në klubin e ngushtë të vetëm 4 sportistëve në histori, që kanë kaluar kufirimin e 1 miliard dollarëve pasuri (ata në aktivitet), bashkë me LeBron James, Tiger Woods dhe Cristiano Ronaldo.
Në klasifikimin e përgjithshëm të më të pasurve të sportit botëror, të udhëhequr nga i paarritshmi Michael Jordan (mbi 4 miliardë dollar), bëjnë pjesë legjenda si, Magic Johnson, Cristiano Ronaldo, Roger Federer dhe David Beckham.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




