Dosja AKSHI/ Arrestohet kushëriri i biznesmenit Ergys Agasit

Eno Agasi, kushëriri i biznesmenit Ergys Agasi, është arrestuar në automjet në zonën e Kodrës së Diellit. Sipas informacioneve paraprake, Eno Agasi dyshohet se është personi që ka marrë verërat e shtrenjta nga kantina e sekuestruar nga SPAK, në kuadër të dosjes së AKSHI-t.
Arrestimi i tij është kryer në zonën e Kodrës së Diellit.
Para tre javësh u arrestua biznesmeni Ergys Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) lidhur me dosjen e AKSHI-t. Arrestimi i tij u krye në zonën e Plepave në qytetin e Durrësit, teksa ai ishte duke udhëtuar me automjetin e tij.
Akuzat që rëndojnë mbi biznesmenin
Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Ergys Agasi dyshohet për përfshirje në një sërë veprash të rënda penale, duke operuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal. Ndaj tij rëndojnë akuza të shumëfishta që lidhen me abuzimet në tenderat shtetërorë, ushtrimin e dhunës dhe pastrimin e parave.
Konkretisht, veprat penale për të cilat ai akuzohet përfshijnë:
- Shkelje e barazisë në tendera: Ndërhyrje dhe manipulim i garave apo ankandeve publike për përfitime të jashtëligjshme.
- Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës: Përdorimi i metodave të dhunshme dhe shantazhit për të eliminuar apo dëmtuar konkurrencën në treg.
- Heqje e paligjshme e lirisë: Përdorimi i forcës fizike dhe izolimi i personave të tjerë në kundërshtim me ligjin.
- Pastrim i produkteve të veprës penale: Përfshirja në skema për fshehjen dhe ligjërimin e aseteve e të ardhurave të përfituara nga veprimtaria kriminale.
- Grup i strukturuar kriminal: Kryerja e të gjitha veprave të mësipërme në formën e bashkëpunimit të veçantë si pjesë e një organizate të mirëfilltë kriminale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




