Arrestohet Ministri kroat i Shëndetësisë, Vili Beros u shkarkua pas akuzave për korrupsion

Rajon | 2 vite më parë

Pas një operacioni të befasishëm, policia kroate arrestoi këtë të premte ministrin e Shëndetësisë, Vili Berosh dhe të paktën 7 persona të tjerë. Zyra e Prokurorit Publik në Zagreb tha në një deklaratë se kishte nisur një hetim kundër tetë personave, përfshirë ministrin e shëndetësisë, drejtorët e dy spitaleve në Zagreb dhe dy kompani të dyshuara për marrje dhe dhënie ryshfeti, shpërdorim detyre dhe pastrim parash”.  

Sipas informacioneve paraprake, Berosh po hetohet për rastet e korrupsionit për blerjen e pajisjeve të sofistikuara mjekësore përmes tenderëve publikë. Ministri i Shëndetësisë në qeverinë e kryeministrit konservator, Andrej Plenkoviç u arrestua në shtëpinë e tij, e cila më pas u kontrollua me urdhër të Zyrës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.  Kryeministri njoftoi shkarkimin e ministrit, duke emëruar në detyrë, nënsekretaren shtetërore për menaxhimin e Ministrisë së Shëndetësisë deri në marrjen e detyrës nga ministri i ri.

Plenkoviç tha se Berosh ka tradhtuar besimin e tij të 5 viteve në qeveri.  “Edhe pse ky është një moment i vështirë për qeverinë, ne e mbështesim plotësisht hetimin. Dua që kjo çështje të shihet si angazhim për luftën kundër korrupsionit në të gjitha segmentet e shtetit, veçanërisht në shëndetësi, ndaj të cilit jemi të gjithë edhe më të ndjeshëm.”-  u shpreh kryeministri kroat duke shtuar se ministrat nuk janë në qeveri për përfitime personale, por për të punuar për programin qeverisës dhe në interes të qytetarëve. Arrestimi dhe shkarkimi i ministrit tronditi skenën politike kroate, pasi ai ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit Plenkoviç.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme