Arsimi profesional promovon ofertën mësimore, fluks nxënësish në shkollën e Fierit

Aktualitet | 2 vite më parë

Shkolla e mesme profesionale “Petro Sota” ka hapur dyert për shumë nxënës të shkollave 9-vjeçare te Patosit, Mallakastrës dhe Roskovecit, të cilët do të zgjedhin mes arsimit të mesëm të përgjithshëm dhe atij profesional.

Të rinjtë janë njohur me programet mësimore të shkollës profesionale, si dhe me infrastrukturën e institucionit arsimor.

Interesi i nxënësve për arsimin profesional, sipas stafit pedagogjik të shkollës, sa vjen dhe rritet.

“Është dita e dytë e dyerve të hapura. Dita e parë u zhvillua në datën 17 prill. Marrin pjesë të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare që operojnë në qarkun e Fierit. Nxënësit, konkretisht, shikojnë ambientet përkatëse, sepse ne në kuadër të promovimit kemi vajtur në të gjitha shkollat, kemi kontaktuar nxënësit, u kemi treguar ofertën mësimore që ne ofrojmë,” thotë Arta Leka, drejtoresha e shkollës profesionale “Petro Sota”.

Shkolla profesionale “Petro Sota” ofron gjashtë profile, ku ndër të preferuarit janë degët Teknologji Informacioni dhe Komunikim, Mekanikë dhe Kërkim-shpim Naftë.

“Janë drejtime shumë të kërkuara në tregun e punës. Është drejtimi TIK, mekanik, shërbim mjetesh transporti, drejtimi termo-hidraulik dhe kërkim-shfrytëzim naftë, gaz dhe ujë,” tregon znj. Leka.

Me 700 nxënës, “Petro Sota” kryeson si një ndër shkollat më të frekuentuara mes tri shkollave profesionale të Fierit. Çdo vit pranë kësaj shkolle regjistrohen mesatarisht 250 nxënës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme