Atentati në Laç, policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar, banonte në të njëjtën lagje me viktimën

Policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Laçit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, bëhet fjalë për Emiljan Sutin, i cili dyshohet se është autori i atentatit me armë zjarri ku mbeti i vrarë Ilir Lika.
Burimet bëjnë me dije se autori i dyshuar dhe viktima jetonin në të njëjtën lagje, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur marrëdhënien mes tyre dhe konfliktet e mundshme që mund të kenë çuar në krimin e rëndë.
Viktima, Ilir Lika, ishte me origjinë nga Miloti, por prej vitesh banonte në Laç. Sipas burimeve hetimore, ai njihej me katër mbiemra të ndryshëm, ndërsa e kaluara e tij po verifikohet në detaje nga grupi hetimor.
Dyshimet e para të hetuesve lidhen me aktivitetin dhe qëndrimin e viktimës jashtë vendit. Paralelisht, ekspertët kriminalistikë dhe strukturat hetimore vijojnë punën për të dokumentuar plotësisht ngjarjen, për të identifikuar bashkëpunëtorë të mundshëm dhe për të zbardhur motivin e atentatit.
Ndërkohë, kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar vijojnë në disa zona, ndërsa policia nuk përjashton asnjë pistë hetimore deri në sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




