Bahamasi njohu Kosovën-Begaj: Kontribut për paqen dhe stabilitetin

Aktualitet | 11 muaj më parë

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka shprehur mirënjohjen ndaj Bahamasit për njohjen e Kosovës duke e cilësuar atë si “një kontribut kuptimplotë në paqen, stabilitetin dhe forcimin e rendit ndërkombëtar në rajonin tonë.”

“Shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj Bahamasit për njohjen e Kosovës, një kontribut kuptimplotë në paqen, stabilitetin dhe forcimin e rendit ndërkombëtar në rajonin tonë”, u shkruan kreu i shtetit.

Ndërkaq, më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cilësoi njohjen si vendim historik

“Edhe një vendim historik për vendin tonë. Bahamas bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës sonë! Sapo kemi nënshkruar, këtu në kryeqytetin e Bahamas, marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Kryeministrin e Bahamas, mikun tonë të mirë Philip Davis”, shkruan Osmani.

Gjithashtu Osmani, ka publikuar edhe deklaratën e plotë ndërmjet dy shteteve:

Deklaratë e përbashkët e Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

Komonuelthi i Bahamas dhe Republika së Kosovës njoftojnë se Komonuelthi i Bahamas e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Të dyja shtetet njoftojnë gjithashtu vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës, me efekt nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.

Të dyja shtetet riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Ato bien dakord ta zhvillojnë marrëdhënien e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.

Bahamas dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv.

Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili u shërben interesave të të dy popujve dhe kontribuon në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme