Bankat shqiptare dorëzojnë aplikimet për në SEPA, transfertat ndërkufitare nisin në tetor 2025

Shqipëria hedh një hap të rëndësishëm drejt integrimit të plotë në tregun financiar evropian. Më 10 prill 2025, Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave dorëzuan pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC) aplikimet për anëtarësimin e bankave shqiptare në skemën e transfertave SEPA (Single Euro Payments Area).
Të 11 bankat që operojnë në sistemin bankar shqiptar përgatitën dhe dorëzuan aplikimet përkatëse, duke synuar që transfertat e para ndërkufitare në euro përmes SEPA të nisin në fillim të tetorit 2025 – data më e hershme e lejuar nga EPC për përfshirjen e Shqipërisë në këtë sistem.
Vendimi për përfshirjen e Shqipërisë në zonën SEPA u mor më 21 nëntor 2024. Aplikimet u bënë të mundura vetëm nga muaji prill 2025, duke hapur rrugën për një proces të intensifikuar bashkëpunimi midis institucioneve financiare dhe Bankës së Shqipërisë, e cila ka vepruar si Qendër Kombëtare për Mbështetjen në Aderim.
Gjatë kësaj periudhe, janë zhvilluar Workshop-e me ekspertë të Bankës Botërore dhe janë mbajtur konsultime të vazhdueshme me EPC, me qëllim që të gjitha bankat shqiptare të plotësojnë kërkesat teknike dhe dokumentacionin e nevojshëm për t’u bërë pjesë e skemave SEPA.
Çfarë përfiton konsumatori shqiptar?
Pjesëmarrja në SEPA pritet të sjellë ulje të ndjeshme të kostove për transfertat ndërkufitare në euro, rritje të shpejtësisë së transaksioneve, si dhe lehtësi për bizneset që operojnë me partnerë ndërkombëtarë. Në thelb, pagesat ndërkombëtare do të jenë po aq të thjeshta dhe të lira sa një transfertë brenda vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




