Bashkëpunimit ekonomik Shqipëri–Poloni, Ibrahimaj dhe Malaj takim me homologët polak  

Ekonomi | 8 muaj më parë

Një delegacion i nivelit të lartë nga Shqipëria zhvilloi një takim zyrtar me përfaqësues të Ministrisë së Financave të Polonisë, me fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve dhe finalizimin e marrëveshjeve të rëndësishme dypalëshe.

Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe Petrit Malaj, Ministër i Financave, zhvilluan një takim zyrtar me Ministrin e financave të Polonisë, Andrzej Domanski, dhe përfaqësues të tjerë të lartë të qeverisë polake.

Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia strategjike e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë, të cilat janë thelluar ndjeshëm vitet e fundit. Në diskutimet dypalëshe u prezantuan disa tregues të qëndrueshëm të këtij bashkëpunimi, përfshirë: Rritjen e importeve nga Polonia me 9.9% në vitin 2025, duke arritur vlerën 216 milionë euro. Rritjen e eksporteve shqiptare drejt Polonisë me 6.3% në vitin 2025, duke arritur 26 milionë euro. Rritjen e stokut të investimeve polake në Shqipëri, që në tremujorin e tretë të vitit 2025 arritën 101 milionë euro. Zgjerimin e pranisë së biznesit polak, me 110 kompani me kapital 100% polak dhe 19 me kapital të përbashkët.

U diskutua gjithashtu nisma për krijimin e Bankës Shqiptare për Zhvillim (BZH), një projekt që po ndërtohet mbi modelin e bankës së zhvillimit të Polonisë, e cila është vlerësuar për sukseset e saj në mbështetjen e zhvillimit ekonomik.

Përfaqësuesit e të dy vendeve shprehën angazhimin për të vijuar bashkëpunimin intensiv mes ekipeve teknike dhe institucioneve përkatëse me qëllim finalizimin dhe zbatimin efektiv të marrëveshjeve dhe projekteve të përbashkëta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme